Ekonomi Ushqimet në Shqipëri, në shtetin më të varfër të Europës, kushtojnë njësoj...

Ushqimet në Shqipëri, në shtetin më të varfër të Europës, kushtojnë njësoj si në BE

Ndonëse Shqipëria është shteti më i varfër në Europë, me prodhimin e brendshëm për frymë që është sa 32% e mesatares së Europës, sipas Eurostat, qytetarët duhet të paguajnë shtrenjtë për blerjen e ushqimeve e pijeve dhe produkteve të tjera, si komunikimi dhe blerja e pajisjeve elektronike e përdorim shtëpiak.

Në Shqipëri, çmimet në tërësi janë sa 61% e mesatares europiane. Kjo është përqindja më e lartë nga vendet e rajonit pas Malit të Zi (69%),  por ky i fundit kishte të ardhura sa 47% e mesatares Europiane, nga 32% që e ka këtë tregues Shqipëria.

Më lirë çmimet janë në Turqi (40% e mesatares europiane), Maqedoni e Veriut (51.5), Bosnjë Hercegovinë (55.8), Serbi (59.9).

Kur vjen puna te ushqimet, për të cilat familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve në buxhetin e tyre (rreth 42%, nga 13% që është mesatarja e Bashkimit Europian), çmimet janë pothuajse njësoj si në Europë dhe më të shtrenjtat në rajon.

Indeksi i Eurostat për ushqime, është sa 83% e mësatares europiane, më të shtrenjta edhe se në Mal të Zi (78.3), Ushqimet, në rajon, janë më të lirat në Maqedoninë e Veriut, me 61.4% të mesatares europiane.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari.

Të shtrenjta në Shqipëri janë veshjet dhe këpucët, me rreth 96% të mesatares së BE-së.

Më lirë janë restorantet (46% e mesatares së BE-së).

Më i shtrenjtë është komunikimi (108% e mesatares së BE-së).

Më shtrenjtë nga të gjitha kushton blerja e pajisjeve shtëpiake (120%) dhe atyre elektronike (110%)

Pajisjet personale të transportit janë më të shtrenjtat në rajon (86% e mesatares së BE-së).