Ekonomi “Varfëria globale po rritet”, OKB: Do të duhen vite për rimëkëmbjen nga...

“Varfëria globale po rritet”, OKB: Do të duhen vite për rimëkëmbjen nga Covid-19

Nuk do të mjaftojë një vaksinë për të zhbërë dëmin nga Covid-19, e do të duhen vite për të rimëkëmbjen globale pas pandemisë.

Paralajmërimi erdhi nga sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres gjatë një seance të posaçme te nivelit të lartë të asamblesë së përgjithshme të OKB.

“Le të mos e gënjejmë veten. Një vaksinë nuk mund të zhbëjë dëmin që do të shtrihet përgjatë viteve, e mbase edhe dekadave që do të pasojnë. Varfëria globale po rritet, kërcënimi i krizës së urisë po theksohet edhe më shumë. Përballemi me recesionin më të madh global në 8 dekada”, u shpreh ai.

Një raport i OKB-së i publikuar të enjten parashikon se rreth 32 milionë njerëz mund të shtyhen në varfëri ekstreme këtë vit nga pandemia. Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kërkoi miratimin e një pakete stimuluese me vlerë të paktën sa 10 përqindshi i GDP-së globale dhe për lehtësimin e borxhit për të gjitha vendet në nevojë.

Gati 80 krerë shtetesh po mbajnë fjalime në takimin dy ditor që po zhvillohet virtualisht, e ku do të përfshihen prezantime nga shkencëtarë, ekspertë dhe krerë të disa agjencive të OKB-së, përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Numri global i vdekjeve nga koronavirusi i ka tejkaluar 1.5 milionë, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në mbi 65 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.