Bota Venezuela ndan botën: Ja shtetet që janë me Maduron dhe ato me...

Venezuela ndan botën: Ja shtetet që janë me Maduron dhe ato me Guaidon

Bashkësia ndërkombëtare u pozicionua karshi zhvillimeve në Venezuelë, pasi Shtetet e Bashkuara, të ndjekura dhe nga vende të tjera, e njohën liderin e opozitës si presidentin të përkohshëm, duke mos e njohur më armikun Maduro si të tillë.

Shumica e fuqive perëndimore mbështeti protestat e qindra e mijëra mbështetësve të opozitës, ku lideri i saj Juan Guaido, njëherësh kreu i Asamblesë Kombëtare, u shpall president i përkohshëm.

Guaido, një inxhinier 35-vjeçar, njihet si një filoamerikan pasi dhe është shkolluar në Shtetet e Bashkuara.

Përveç SHBA dhe Kanadasë, ai u mbështet dhe nga Argjentina, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Guatemala, Honduras, Paraguaj, Peru, Ekuador dhe vende të tjera, kjo sa i përket vendeve amerikane.

Kosova dhe Shqipëria ishin ndër vendet e para në Evropë që e njohën e presidentin e vetëzgjedhur.

Presidenti francez Emmanuel Macron vlerësoi guximin e banorëve të Venezuelës, që siç tha, “janë duke luftuar për liri”, ndërsa fitoren e Maduros në zgjedhjet e vitit të kaluar e quajti si të paligjshme.

Një zëdhënëse e kryeministres britanike Theresa May, tha gjithashtu se votimi nuk ishte i drejtë dhe as i lire dhe shprehu mbështetjen për Guaidon.

Ndërsa shumë vende mbështetën Maduron, duke përfshirë Turqinë, Rusinë, Kinën dhe Iranin.

“Ne jemi me ju. Vëllai im Maduro. Qëndro i fortë, ne jemi në anën tuaj”, tha Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një bisedë telefonike me udhëheqësin e Venezuelës.

Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, tha: “Sa e çuditshme që Guaido të shpallet president, ndërsa Maduro është tashmë një president i zgjedhur.”

Duke komentuar reagimin e SHBA ndaj situatës në Venezuelë, Moska njoftoi se referenca për “ndërhyrje ushtarake në Venezuelë” shumë e rrezikshme.

“Përpjekja për të rrëzuar qeverinë në Venezuelë duhet të trajtohet si shkelje e themeleve të së drejtës ndërkombëtare. Maduro është kreu legjitim i shtetit”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ndërsa zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova kritikoi vendet që kanë shprehur mbështetjen e tyre për Guaidon.

Maduro morri dhe mbështetjen e Kinës, e cila, siç thuhet, “gjithmonë respekton parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe kundërshton ndërhyrjen nga jashtë në Venezuelë.”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje të dy palët që të angazhohen për dialog, “në mënyrë për të shmangur një konflikt, i cili do të jetë shkatërruese për popullin e Venezuelës dhe rajonin.”

Komisioni Europian bëri thirrje për zgjedhje të reja, por pranoi ta njohë drejtpërdrejt Guaidaon si president.

Sipas Agjencisë për Refugjatë OKB-së, në vitet e fundit nga Venezuela janë larguar më shumë se tre milionë nga 32 milionë njerëz, ku shumica e tyre arriti në vendet fqinje, veçanërisht në Kolumbi.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kolumbisë, në tetor paralajmëroi se vendi i tij deri në 2021 do të mund të marrë më shumë se katër milion refugjatë nëse situata në fqinjin lindor nuk përmirësohet.

Sipas të dhënave të OPEC-ut, Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, por  aktualisht ka një normë inflacioni prej më shumë se një milion për qind dhe qytetarët nuk plotësojnë dot nevojat themelore, të tilla si ushqim dhe ilaçe, sipas Kombeve të Bashkuara.

Maduro thotë se vendi i tij ishte viktimë e liderëve të opozitës, me një “luftë ekonomike” e cila u ndihmua nga Uashingtoni.

SHBA ka vënë në mënyrë të përsëritur sanksione kundër qeverisë venezueliane gjatë viteve të fundit.

Maduro fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet e vitit 2018, por të cilat opozita i bojkotoi.