Kryesore “Vëre kapuçin more budalla”, dëshmia e vajzës së biznesmenit që u grabit:...

“Vëre kapuçin more budalla”, dëshmia e vajzës së biznesmenit që u grabit: Njëri ishte pa maskë

Vajza e biznesmenit Nazmi Çangu, Xhelona Çangu në Polici ka dëshmuar se ka arritur që të dallojë një nga grabitësit, pasi ky i fundit nuk ka pasur maskën.

Madje ajo tregon edhe një detaj tjetër se grabitësit, me njëri-tjetrin flisnin në kufje dhe se nga dialekti mendon se ishin nga Laçi.

Nisur nga kjo, siç raportohet në media, Policia dhe prokuroria i ka kërkuar kompanive celulare që të zbardhë thirrjet telefonike përreth banesës së familjes Çangu ditën që ndodhi ngjarja, çka mund të ndihmojë deri në identifikimin e grabitësve.

“Rreth orës 02:00 dëgjova babin të bërtiste dhe rënkonte, por mendova se ishte sëmurë. Hapa derën dhe aty pashë një person të gjatë, të armatosur, që më tha “pusho”. Ai u fut në dhomë ku ndodhesha me shoqen time e vëllain e mitur. Na mori telefonat dhe i mbante në dorë.

Ai thirri një tjetër person që ndodhej në katin e dytë. Ai që erdhi ishte i pamaskuar, i veshur me rroba të zeza, trup i shkurtër, i mbushur në fytyrë e me pak bark, me flokë ngjyrë kafe, afërsisht rreth 40 vjeç. Në këtë moment, personi tjetër i maskuar i tha “Vendose kapuçin more budalla”. Njëri prej tyre kishte kufje në vesh dhe komunikonte me personat e tjerë. “Nga komunikimi dukej sikur ishte nga zona e Laçit. Njëri prej tyre mori vëllain dhe e çoi në dhomën tjetër dhe e pyeste për çelësin e kasafortës. Dukej që ata e njihnin mirë familjen time. Ata na thanë “Do marrim borxhin që na ka babai juaj Nazmiu”. Nëse e shoh personin që ishte pa maskë e njoh, madje mund ta kem parë edhe herë tjetër, por nuk mbaj mend se ku”, ka thënë Xhelona Çangu.

Ndërsa vetë biznesmeni tregon në një intervistë për Tv Klan përballjen e parë me grabitësit e armatosur.

“Më ra dikush në kraharor e më tha “policia e shtetit”, dhe me vendosi automatik te koka. Ishin 3 veta në dhomë, 2 me uniformë policie. Gruaja bërtiste andej…”.

Pas këtij momenti ata janë përleshur e më pas e kanë dhunuar biznesmenin për rreth 1 orë, në përpjekje për të detyruar t’u jepte çelësat e kasafortës.

“Jemi përlesh në krevat, e kafshova shumë në dorë njërin prej tyre. Kishin pistoleta… ”

Nuk ka mundur t’i shohë në fytyrë, se mbanin maska. Por i ka dëgjuar teksa flisnin me njëri-tjetrin në radio si ato të policisë e thotë se dialekti ishte ai i zonës së Laçit.

“Kapi radion që e kishte këtu dhe tha “lëvizim shpejt-shpejt!” “po-po”, kaq kam dëgjuar. Kanë fol 2-3 herë. M’u duk si e folur nga Laçi.”

Çangu thotë se nuk kishte pikasur lëvizje të dyshimta në zonë.

“Nuk kam pikas se do të kisha marrë masa. Shpresoj ta zgjidhë shteti, në të kundërt do ta zgjidh privatisht”.

Ndërkohë hetuesit bëjnë më dije se kanë gjetur objekte me të dhëna biologjike, gjurmë gishtat, si dhe një kapuç që dyshohet se i përket njërit prej grabitësve. Provat janë dërguar për ekzaminim në laborator.

Mendohet se autorët kishin kohë që e vëzhgonin lëvizjet e biznesmenit. Kishin dijeni se ai mbante në shtëpi shuma të mëdha parash e madje dyshohet se mund të kenë qenë në dijeni edhe të faktit se kamerat e vilës nuk funksionin për shkak të disa rregullimeve që po kryheshin.