Aktualitet Vjeshtë me furtunë, nga Gjin Gjoni te Fatmir Hajdari, 20 emra VIP...

Vjeshtë me furtunë, nga Gjin Gjoni te Fatmir Hajdari, 20 emra VIP dalin para vettingut në shtator

Pas rënies së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në grackën e Vetingut (përveç Ardian Dvoranit dhe Vitore Tushës), drejtësia shqiptare do të trazohet nga një tjetër ‘tërmet’ në vjeshtën e këtij viti, tashmë në nivel apeli.

Krahas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese me anëtarët e rinj, gjatë javëve të para të vjeshtës pritet të dalin para Vetingut gjyqtarët dhe prokurorët e konsideruar të ‘fuqishëm’ të Apelit, për t’ju nënshtruar skanimit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Disa prej tyre (gjyqtarë) janë përfolur për pasuri të dyshimta me vlerë miliona euro, madje janë kallëzuar edhe penalisht nga ILDKPKI për mashtrim me pasuritë, pastrim parash, falsifikim kontratash, deklarim të rremë etj., por dosjet janë mbyllur pa shkuar në gjykatë. Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe më pas Kolegji i Posaçëm i Apelimit, do të thonë fjalën e fundit nëse pasuritë e deklaruara nga gjyqtarët e Apelit janë apo nuk janë të justifikuara me të ardhura të ligjshme.

Që me 15 nëntor të vitit të kaluar, Komisioni i Vetingut ka përzgjedhur me anë të shortit për t’ju nënshtruar rivlerësimit gjyqtarët e Apelit, Gjin Gjoni dhe Fatmir Hajdari. Po në këtë datë, janë përzgjedhur për t’ju nënshtruar Vetingut edhe ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gerd Hoxha, Eneida Civici, Neritan Cena, Petrit Çomo dhe Ridvan Hado. Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, është përzgjedhur për t’ju nënshtruar Vetingut që në 15 maji të vitit 2018.

Ndërkaq, një grup gjyqtarësh të tjerë të Apelit në Tiranë, përfshirë Agim Bendon, Alaudin Malajn dhe Astrit Haxhialushin janë përzgjedhur për t’ju nënshtruar Vetingut që me 17 shtator të vitit 2018. Ky grup gjyqtarësh pritet të njihet me rezultatet e verifikimit për pasurinë, figurën dhe aftësitë nga KPK në fillim të vjeshtës. Është përzgjedhur për t’ju nënshtruar Vetingut, por që nuk është njohur ende me rezultatet e verifikimit, edhe Shpresa Beçaj, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë, aktualisht gjyqtare e Apelit.

Hajdarmataj dhe Elisabeta Imeraj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 15 maji 2018 ka përzgjedhur me anë të shortit për t’ju nënshtruar Vetingut edhe Besim Hajdarmatajn, ish-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili po verifikohet për shpërdorim detyre në lidhje me dosjen ‘Babale’. Hajdarmataj, i njohur si prokuror i dosjeve të ‘nxehta’ aplikoi për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, por nuk u kualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Me shumë gjasa, gjatë muajit shtator, Hajdarmataj do të njihet me rezultatin e verifikimit ndaj tij si dhe me vendimin nëse duhet të shërbejë apo jo në gjyqësor. Procesit të Vetingut po i nënshtrohet edhe drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Zonja Imeraj është përzgjedhur nga KPL si kandidate për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Vetingut po i nënshtrohen edhe tre kandidatë të tjerë për Prokurorinë e Posaçme, konkretisht Anita Jella, Ndini Tavani dhe Doloreza Musabelliu.

Gjyqtarët dhe prokurorët që pritet të njihen me rezultat e Vetingut në vjeshtë

Gjin Gjoni, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ish-anëtar i KLD

Alaudin Malaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë

Besim Hajdarmatajn, ish drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Agim Bendo, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë

Fatmira Hajdari, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë

Shpresa Beçaj, gjykata e Apelit Tiranë

Gerd Hoxha, ish-anëtar i KLD, gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Eneida Civici, gjyqtare e Tiranës, ish-anëtare e KLD

Neritan Cena, gjyqtar i Tiranës, ish-anëtar i KLD

Petrit Çomo, gjyqtar i Tiranës, ish-anëtar i KLD

Ridvan Hado, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ish-anëtar i KLD

Astrit Haxhialushi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë

Astrit Kalaja, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër

Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda

Elisabeta Imeraj, kryeprokurore e Tiranës, kandidate për SPAK-un

Anita Jella, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, kandidate për SPAK-un

Ndini Tavani Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kualifikuar nga KLP për SPAK-un

Doloreza Musabelliu, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënd, kandidate për SPAK

Anton Martini, kryeprokuror i Shkodrës, kandidat për SPAK-un

Zegjine Sollaku Gjykata e Apelit Tiranë.