Bota “Vladimir Putin po rrezikon nisjen e luftës në Europë”

“Vladimir Putin po rrezikon nisjen e luftës në Europë”

Vladimir Putin po rrezikon nisjen e luftës në Europë, duke grumbulluar trupat përgjatë kufirit me Ukrainën. Ky është mendimi i një ish-ambasadori amerikan.

Michael McFaul, i cili ka punuar si ambasadori amerikan në Rusi në periudhën 2012-2014, kur Putin aneksoi Krimenë, tha se Presidenti rus po teston presidentin amerikan Joe Biden me spektaklin e forcës që po nervozon Europën.

Sipas tij, kjo luftë nervash mund të kthehet shumë shpejt në luftë të mirëfilltë. McFaul thotë se luftën do ta niste pushtimi i Ukrainës nga Rusia, me pretekstin se po “liron” rusishtfolësit në lindje të Ukrainës, që i konsideron shtetas të saj.

“Nëse kjo ndodh, qeveria dhe ushtria ukrainase do të përgjigjej, pa dyshim. Në këtë mënyrë, do të kishim një luftë në Europë mes dy ushtrive të jashtëzakonshme”, tha ish-ambasadori.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i ka kërkuar Putinit që të bisedojnë për këtë grumbullim trupash në kufi, por ende nuk ka marrë përgjigje. Këtë javë, Zelenskiy do të udhëtojë në Paris për të diskutuar tensionet në rritje me aleatët evropianë.