Aktualitet ”Vlerësoje veten se edhe ti mundesh”, një rrëfim i Elida Çelës, nënkryetare...

”Vlerësoje veten se edhe ti mundesh”, një rrëfim i Elida Çelës, nënkryetare e shoqatës së të verbërve në Elbasan

Sot zhvilluam një intervistë me Elida Çela, nënkryetare e shoqatës së të verbërve dega Elbasan ku në qendër të bisedës ishin sfidat e përditshme të personave me vështirësi në shikim dhe projekti ”Vlerësoje veten se edhe ti mundesh”.

Kur e kuptuat që ju ishit ndryshe nga bashkëmoshatarët tuaj?

Kur kam qenë fëmijë nuk e kam kuptuar që isha ndryshe sepse e shihja veten njësoj si fëmijët e tjerë. Përpara se të shkoja në shkollën speciale kam frekuentuar arsimin parashkollor publik. Tani që e mendoj ka patur një përkujdesje të tepruar ndaj meje, por në atë kohë nuk e kuptoja.

Si i vlerësoni vitet e shkollimit tuaj në shkollën speciale?

Së pari një falenderim i veçantë shkon për prindërit e mi. Ata sakrifikuan shumë që unë pavarësisht aftësisë sime ndryshe të mund të shkollohesha njësoj si bashkëmoshatarët e tjerë. Ajo periudhë ka qenë sa e bukur dhe e dhimbshme. Unë them e bukur sepse pata mundësitë shkollohesha njësoj si bashkëmoshatarët e mi, por njëkohësisht edhe e dhimbshme sepse u largova në moshë të vogël nga familja. Kjo ndarje është e vështirë për psikologjinë e fëmijës. Si konkluzion ishin vite në të cilat nisi formimi im.

Si ishte për ju kalimi nga shkolla special në arsimin e mesëm të lartë publik?

Kjo ka qenë periudha më e vështirë sepse nëse në shkollën speciale ishim të gjithë njësoj me të njëjtën problematikë, kur kalova në arsimin e mesëm publik unë isha ndryshe. Gjithmonë e shihja veten ndryshe, psh provimet duhet ti jepja me gojë e jo me shkrim. Ka pasur nga ato raste ku unë trajtohesha ndryshe nga të tjerët, në një fare mënyre kam përjetuar diskriminim pozitiv. Ajo periudhë ishte periudhë transformimi dhe përshtatjeje. Përshtatja dhe transformimi janë procese të vështira. Në këtë aspekt do më duhej të sensibilizoja shoqërinë që të kuptonin se edhe unë isha njësoj si ata.

Ju jeni diplomuar në degën Punë Sociale, sa e vështirë ishte të ishit në një hap me kolegët tuaj?

Në të vërtetë ka qenë shumë e vështirë. Më është dashur të bëj një punë të shumëfishtë, për të pasur akses të plotë në procesin e të mësuarit. Bashkëmoshatarët e mi kishin tekstet e tyre, ndërsa mua më duhej ti skanoja ose ti regjistroja në audio të gjitha leksionet dhe materialet e nevojshme. Pavarësisht këtyre vështirësive ia dola.

A keni ndjerë paragjykim dhe mënjanim nga ana e mësuesve apo shokëve të klasës?

Sigurisht që kam ndjerë paragjykime, por jo deri në atë masë sa të më pengojnë të vazhdoj studimet. E them me bindje se shoqëria e sotme paragjykon për shkak të mungesës së informacionit ndaj personave me aftësi ndryshe.

Gjatë këtyre viteve a keni punuar në profesionin tuaj?

Gjatë këtyre viteve nuk kam punuar në një punë fikse; kam punuar si vullnetare, kam punuar për nëntë muaj në një radio lokale. Fatkeqësisht nuk kam punuar në administratën publike, pavarësisht kërkesave të mia të herëpashershme.

A zbatohet kuota 20% për punësimin e personave me aftësi ndryshe?

Kuadri ligjor shqiptar në këtë aspekt është shumë i mirë. Pjesa që çalon është zbatueshmëria, pasi jemi shumë mbrapa në këtë drejtim.

Ju keni drejtuar për disa vite shoqatën e të verbërve dega Elbasan. A ka patur ndryshime pozitive për ju gjatë këtyre viteve?

Unë jam përpjekur që të bëj sadopak ndryshime, por nuk mund të them që kam bërë ndryshime drastike. Për mua personalisht ka qenë një eksperiencë pozitive, e bukur dhe më ka mësuar shumë. Pavarësisht përpjekjeve të mia nuk është se ka patur shumë ndryshime.

Ju keni marrë pjesë në shumë trajnime brenda dhe jashtë Shqipërisë, sa të frytshme kanë qenë ato dhe sa ju kanë ndihmuar në pavarësimin tuaj dhe aftësi të profesionale?

Trajnimet që kam marrë pjesë jashtë shtetit kanë qenë me kohëzgjatje të shkurtra. Pavarësisht kësaj më kanë mësuar shumë, kam përfituar nga eksperiencat e pjesëmarrësve të tjerë, kam njohur kulturat e shteteve të ndryshme. Në këto trajnime kam mësuar shumë për shërbimet që ofrojnë vendet perëndimore për personat me aftësi ndryshe e sidomos për jetesën e pavarur.

Ju keni marrë pjesë në projekte të ndryshme, cilin prej tyre do të veçonit?

Ndër të gjithë projektet do të veçoja një projekt të organizuar nga shoqata e të verbërve. Projekti kishte në fokus menaxhimin e mikroambientit nga personat me vështirësi në shikim. Atje mora njohuritë e nevojshme për tu aftësuar në fushën e gatimit dhe në menaxhimin e punëve të përditshme të shtëpisë.

Aktualisht jeni koordinatore e një projekti që ka në qendër integrimin e vajzave dhe grave në jetën shoqërore. Pse pikërisht këtë target group?

Projekti në fjalë quhet: ”Vlerësoje veten se edhe ti mundesh”. Gratë me aftësi ndryshe janë të diskriminuara për dy arsye: e para për shkak të gjinisë së tyre, së dyti për shkak të aftësisë ndryshe. Në këtë rast, diskriminimi bëhet i dyfishtë. Një projekt i tillë mendoj se është I nevojshëm për ti motivuar, socializuar dhe fuqizuar gratë me vështirësi në shikim.

Cilët ju kanë mbështetur në këtë projekt

Projekti mbështetet nga UNDP Albania, në kuadër të Programit “Askush të mos mbetet pas” – “Leave No One Behind” – program i përbashkët i Kombeve të Bashkuara United Nations Albania, I financuar nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Embassy of Switzerland in Albania

A i njohin gratë dhe vajzat me vështirësi në shikim të drejtat e tyre për tu integruar në shoqëri?

Pjesa më aktive e komunitetit i njohin të drejtat e tyre, ndërsa pjesa tjetër e cila përbën shumicën që bëjnë një jetë të mbyllur nuk janë të informuara rreth të drejtave të tyre si qenie njerëzore dhe si gra.

Cilat janë synimet kryesore të projektit?

Ky projekt ka për qëllim socializimin dhe fuqizimin e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara shikimi në jetën shoqërore.

Si ka qenë bashkëpunimi me aktorët e tjerë socialë për realizimin e projektit?

Bashkëpunimi ka qenë shumë i frytshëm. Në datën 10 shtator 2020 u mbajt takimi i parë me temë: “Roli i komunitetit në mirëqenien shpirtërore të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara shikimi”. Falenderoj psikologen Elona Mustafaraj të cilën e kishim të pranishme në këtë takim. Përmes një diskutimi të hapur, u evidentuan disa prej shqetësimeve që gratë dhe vajzat me vështirësi shikimi kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë .Të gjitha gratë e vajzat u ndjenë të lirshme për të shprehur hapur problematikat që ndeshin në përditshmërinë e tyre.

Sa mendon se do u shërbejë në terren ky projekt grave dhe vajzave me vështirësi në shikim?

Unë jam shpresëplotë që me anë të këtij projekti gratë dhe vajzat me vështirësi në shikim do të mirëinformohen dhe ndërgjegjësohen mbi të drejtat e tyre.

Veç projektit në fjalë a keni të tjerë ndër duar?

Unë kam shumë projekt-ide në mendje, të cilat jemi duke i hartuar sëbashku me stafin tim. Le të shpresojmë që këto projekte të implementohen një ditë dhe të jenë në shërbim të komunitetit.

Intervistoi: Ilir Copja