Sport Vllaznia humb në Laç, por ruan kreun, ndalet Kukësi, barazon Tirana

Vllaznia humb në Laç, por ruan kreun, ndalet Kukësi, barazon Tirana

Shpëtim Duro feston fitoren e parë në stolin e Laçit dhe e bën këtë pikërisht ndaj Vllaznisë kryesuese. Kurbinasit arritën të triumfojnë me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga Xhixha në minutën e 88’.

Kjo ishte humbja e dytë sezonale për Vllazninë, që gjithsesi e mbyll fazën e parë si kryesuese me 19 pikë të grumbulluara në 9 javë, ndërsa Laçi ngjitet në vendin e 7 me 11 pikë.

Rikthehet te fitorja edhe Teuta, që fitoi me rezultatin minimal 0-1 në “Loni Papuçiu” të Fierit, përballë Apolonisë vendase. Një gol i Lorenzo Vilës në pjesën e parë vulosi suksesin e durrsakëve, që gjithsesi edhe sot treguan vështirësi në finalizim.

Ndalet edhe Kukësi, që pas 5 fitoreve radhazi u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Kastrioti. Një gol i sulmuesit Patrik Bardhi u dha fitoren krutanëve, që vinin pas dy humbjeve radhazi, por reaguan në mënyrë perfekte këtë pasdite në Kamëz.

Pritej më shumë nga Tirana e Nevil Dedes, që nuk shkoi përtej barazimit 1-1 në transfertën ndaj Skënderbeut në Korçë. Vendasit kaluan të parët në avantazh me golin e Uendi Marës në fundin e pjesës së parë, ndërsa në minutën e 66’ Tirana mbeti me 10 futbollistë, pas kartonit të kuq të Ismailgecit.

Megjithatë kryeqytetasit reaguan mirë dhe arritën të rikthejnë baraspeshën me anë të kapitenit Batha.