Aktualitet Voda: Do të shtyjmë afatin e pasaportave biometrike

Voda: Do të shtyjmë afatin e pasaportave biometrike

Qytetarët shqiptarë rezidentë jashtë territorit të Shqipërisë, të cilëve u mbaron afati i pasaportës, mund të përballen me urgjencën për t’u pajisur me pasaportë të re. Në kushtet e pandemisë, për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie, Ministria e Brendshme ka propozuar në Kuvend një nismë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportave deri në fund të këtij viti.

Në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT, zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, tha se afati do të shtyhet deri më 31 dhjetor 2020.

“Ka një nismë të Ministrisë së Brendshme për të mos krijuar fluksin e 2020 duke paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë aktin normativ për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportave biometrike deri më 31.12.2020. Është e njëjta gjë si me kartat e identitetit muajin që shkoi. Shtyrja e afatit u bë për t’u ardhur në ndihmë atyre që janë jashtë territorit të Shqipërisë. Zgjatja e afatit të pasaportës i ndihmon ata të mos rrezikojnë të konsiderohen të huaj në territorin e një shteti. Ky akt normativ po diskutohet në komisionet parlamentare dhe do t’u vijë në ndihmë të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit,”- tha ajo.