Kryesore Vota kundër SHBA/ Bushati kritikë ndaj Metës: Ata që sulmuan qeverinë, aktorë...

Vota kundër SHBA/ Bushati kritikë ndaj Metës: Ata që sulmuan qeverinë, aktorë diletantë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i shkroi një letër presidentit amerikan, Donald Trump ku i kërkonte ndjesë për qëndrimin që mbajti Shqipëria ndaj vendimit të tij për njohjen e Jerusalemit si kryeqytetit i Izraelit.

Këtë veprim të presidentit Meta e kritikona ashpër Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati

Bushati është shprehur: “Nuk kam asnjë lloj dëshire të komentoj veprimet e pamenduara, të nxituara që mund të marrin aktorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe Presidentin e Republikës. Faktet flasin qartë, trillimet janë një çështje tjetër, çdokush është i lirë të shkruajë, të përdorë pozicionin shtetëror, por mund të them që Shqipëria është një Republikë Parlamentare. Ekskluzivitetin në formulimin e politikës së jashtme e ka qeveria”.

Më tej ai shtoi: “Është për të ardhur keq sepse të gjithë këta që kanë folur për këtë çështje, përfshirë dhe Presidentin e Republikës, nuk kanë marrë mundimin për të lexuar tekstin e rezolutës së votuar ku nuk ka asnjë paragraf as për SHBA, as për qëndrimin e Presidentit Trump. I gjithë ky teatër absurd që po luhet gjithë këto ditë nga këto diletantë, të krijon përshtypjen e një teatri të lodhur, të krijon përshtypjen që ky grup aktorësh të mbetur pa kauzë nuk kanë çfarë bëjnë gjë tjetër, veçse të spekulojnë mbi këtë çështje, e cila në fakt duket sikur do ta nxjerrin Shqipërinë një shtet qesharak që nuk është”.

Për të shpjeguar qëndrimin e Shqipërisë në OKB, Bushati u shpreh: “Po i referohem 2011, duke qenë se ish-Kryeministri, ish-Presidenti, Presidenti aktual kur ka qenë deri para pak kohësh ish-ministër i Jashtëm. Kjo është rezoluta për Jerusalemin, mund ta kërkojë secili prej këtyre personave që unë përmenda. Shqipëria ka votuar pro, SHBA me një grup shumë të vogël shtetesh kanë votuar kundër. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria e 2012-ës ka votuar kundër SHBA, kjo nuk i ka prekur marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA”

Gjithashtu ministri Bushati kritikoi presidentin Meta edhe lidhur me qëndrimin e tij për vdekjen e Florenc Beqirit në Francë, ku u shpreh: “Është kollaj që të spekulosh apo dhe të bësh politikë me vdekjen, është kollaj të derdhësh lot krokodili, të çosh emisarë të caktuar dhe të mos ndjekësh në rrugë institucionale edhe për këtë çështje, sepse në fund të ditës ajo çka na intereson ne është mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Ministri i Jashtëm e mbështet presidentin vetëm për vendimin e tij që t’i jepte nënshtetësinë shqiptare Janullatosit. Bushati nuk e sheh dhënien e shtetësisë në sfondin politik dhe thotë se nuk do të ketë ndonjë ndikim në procesin e dialogut me shtetin fqinj. Takimi i radhës mes dy ministrave të Jashtëm shqiptar dhe greke pas atij të Kretës, do të jetë në datën 19 Janar në Korçë dhe ministri i Jashtëm thotë do të ketë rezultatet pozitive për zgjidhjen problemit të ligjit të luftës dhe të tjera çështjet e tjera të mbetura pezull mes dy vendeve.