Aktualitet Vrau bashkëshorten, Gjykata lë në burg Lulzim Cukun

Vrau bashkëshorten, Gjykata lë në burg Lulzim Cukun

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 45-vjeçarin, Lulzim Cuku,  i cili pak ditë më parë vrau në mënyrë makabre bashkëshorten e tij. Në seancën gjyqësore zhvilluar mëngjesin e kësaj të enjte, Cuku është shfaqur i penduar për veprimin e rëndë, i braktisur dhe nga familjarët e tij, ndërsa ka pranuar që krimin e kryer në kushtet e grindjeve të vazhdueshme që kishte me të shoqen, Manjola Cuku.

Kjo e fundit në datën 19 janar ka marrë urdhrin e parë të mbrojtjes nga Gjykata e Durrësit, pas denoncimit që ka bërë në polici për dhunë psikologjike që i shoqi ushtronte ndaj saj. Sot nëna e 3 fëmijëve duhet të paraqitej në dyert e Gjykatës për të bërë verifikimin e fazës së dytë të urdhrit të mbrojtjes marrë nga Gjykata, ndërsa i vetmi që u paraqit ishte bashkëshorti i saj, pasi i mori jetën në vazhdimësinë e grindjeve të vazhdueshme që çifti kishte në 3 muajit e fundit.

Prokuroria kërkoi arrest me burg, ndërkohë asnjë nga familjarët nuk është i pranishëm në sallë. Prokurorja gjatë pretencës së lexuar në sallën e gjyqit tha detaje rrëqethëse. Ditën e krimit të rëndë, në katin e dytë dëgjoheshin të qarat e fëmijëve. Pranë trupit gjendeshin tre fëmijët e mitur të çiftit të cilët janë bërë protagonistë të skenës makabre në familjen e tyre.