Bota Vritet nga policia “La Catrina”, drejtuesja 21-vjeçare e kartelit meksikan (Pamje të...

Vritet nga policia “La Catrina”, drejtuesja 21-vjeçare e kartelit meksikan (Pamje të rënda)

Liderja e një karteli të njohur droge u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë dhe ushtrinë meksikane në moshën 21-vjeçare. Maria Guadalupe Lopez Esquivel, e njohur ndryshe si ‘La Catrina’, mbeti e plagosur rëndë gjatë përleshjes së armatosur me policinë.

‘La Catrina’ ishte një nga figurat kryesore të kartelit të Jalisco “New Generation Cartel” dhe njihej për jetën luksoze dhe armët që ekspozonte shpesh në rrjetet sociale. Ajo drejtonte një ekip vrasësish në organizatën kriminale, i cili ishte përgjegjës për sulmin ndaj bashkisë së Aguililla në Michoacan në tetor të vitit të kaluar.

Sipas mediave lokale, vajza e re qëndronte në një shtëpi të fshehtë së bashku me disa anëtarë të armatosur të kartelit, kur autoritetet morën një informacion nga një burim i brendshëm dhe i sulmoi.

“La Catrina” shfaqet në një video e plagosur rëndë në qafë nga të shtënat dhe një nga oficerët që përpiqet ta qetësojë duke i thënë se gjithçka do të bëhet mirë pasi një helikopter do ta dërgojë në spital. Ajo ndërroi jetë disa minuta më pas rrugës për në spital.

Kush është “La Catrina”?

López Esquivel mbante pseudonimin “La Catrina” për shkak të Zonjës së Vdekjes, e cila njihet në Meksikë gjatë ditës së të vdekurve. Figurën e saj, bosja e kartelit e kishte tatuazh në këmbë.

Në disa raste, femrat kanë mbajtur pozicione të larta në kartele si pastruese parash, por është e rrallë që ato të komandojnë ose të koordinojnë sulme ndaj policisë. Ajo ishte larguar nga qyteti ku ishte rritur për të jetuar me një anëtar të kartelit Jalisco në vitin 2017.

Ajo u bë e njohur sidomos pas sulmit ndaj policëve në Tetor. Këta të fundit po ushtronin kontroll në një banesë në El Aguaje, kur u zunë në pritë nga banda. 13 efektivë humbën jetën, ndërsa 9 të tjerë mbetën të plagosur.

Gjatë operacionit të së premtes, policia gjeti edhe regjistrime të cilat vërtetonin se “La Catrina” paguante spiunë 210 dollarë në javë që t’i jepnin informacion kartelit të saj.