Presidenti i Serbisë, Alexandar Vuçiç, tha se ai shpreson që Bashkimi Europian të nisë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Shpresoj që BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe nëse kjo nuk ndodh, dua t’u them qytetarëve që nuk është faji i tyre pasi BE ka arsye të veta të brendshme”, tha Vuçiç.
Sa i përket marrëveshjes së cilësuar si Mini Shengeni ballkanik, Vuçiç tha se ajo do të bazohet në katër pika: lëvizjen e lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. “Shumë do ta quajnë këtë takim një takim revolucionar dhe, pavarësisht se nuk mendoj që është i tillë, mendoj se është me shumë rëndësi për vendet tona. Dokumenti që do të shihni mbështetet në zbatimin e katër lirive kryesore që janë të gjithëpranuara ndërkombëtarisht e të nxitura nga Bashkimi Europian”, tha Vuçiç.
“Njerëzit në vendet tona meritojnë një të ardhme më të mirë, standarde më të mira jetese dhe norma më të ulëta papunësie. Synimi ynë është që deri në fund të vitit 2021 të krijojmë kushtet duke shfrytëzuar maksimalisht ID për të kaluar kufirin me Shqipërinë, por pas takimeve të mëtejshme nuk do t’ju duhen pasaporta për ta bërë këtë. Kjo do të sjellë edhe paga më të larta nëse heqim këto barriera. Këto do të lehtësojnë transportin e mallrave dhe shërbimeve. Ndoshta nuk do të jetë aq e thjeshtë me kapitalin, por do ta rregullojmë edhe këtë”, shtoi ai.
Presidenti serb tha se takimi i radhës mes tre liderëve do të mbahet në Ohër më 10 nëntor, ku palët do të vijnë me masa edhe më konkrete.