Aktualitet Zbulohet plani për vrasjen e nipërve të Geron Hasanbelliut

Zbulohet plani për vrasjen e nipërve të Geron Hasanbelliut

Pasi dështoi të vriste Geron Hasanbelliun, Kevin Zeneli nuk dorëzohej. Ai kërkonte me çdo kusht të kryente porosinë e dhënë nga Kasandër Noga.

Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, vëllezërit Beqiraj tregojnë se Geroni ishte një objektiv i vështirë për t’u arritur, kështu që fokusi u zhvendos tek eleminimi i nipërve të tij. Për vrasjen e secilit prej tyre Kasandri paguante 50 mijë Euro.

“Në këtë kohë kishte ardhur dhe Kevini nga jashtë dhe u takuam në Durrës, dhe u bisedua përsëri për të vrarë nipat e Geronit tek Astiri. Kemi ndjekur nipat ku për secilin nga Kasandri do të paguhej shuma prej 50.000 Euro. Kevini kishte marrë përsipër detyrën të na informonte për lëvizjet e nipave”.

Vëllezërit Beqiraj tregojnë se hoqën dorë nga kjo porosi pasi nisën të mos kishin me besim tek Kevin Zeneli.

“Gjatë këtyre ditëve një herë kur ne ishim të vendosur tek fusha e aviacionit, dhe prisnim sinjalin nga Kevini që t’u nismin, kemi parë që tek zona e Tabakinos kalojnë dy fugona të FNSH-së. Kam pyetur Kevin duke i thënë që a ka lëvizje “dajash” dhe ai me thotë që jo. Të gjendur para këtij mashtrimi dhe mosbesimi i them Kevit që punën t’ia japë dikujt tjetër që ta bëjë. Më thotë: “mirë jepjani dhe ju do të merrni ndonjë lekë vetëm të mbarojmë punë”. I thoja në vijimësi që ja kisha dhënë, por në fakt nuk kisha folur me njeri. Duke e provokuar Kevin herë pas here e shikoja me sytë e mi që tabakino ishte plot me njerëz dhe i thoja që ata djemtë nuk gjuajnë dot. Kevini e mohonte. Duke parë këtë situatë me dyshime të shumta në atë punë i shkëputa lidhjet me Kevin dhe nuk i përgjigjesha në telefon”.

Porosia e dhënë për vrasjen e nipave të Geron Hasanbelliut ishte pasojë e hasmërisë së tij dhe vëllait të tij prej vitit 2000 me Kasandër Nogën, i arrestuar në Belgjikë, të cilin Erion Hasanbelliu e ka plagosur në vitin 2002 në Antverp./Tv Klan