Kryesore Zgjatet fasha orare, vendimet që hyjnë në fuqi nga nesër

Zgjatet fasha orare, vendimet që hyjnë në fuqi nga nesër

Duke filluar nga dita e hënë e 27 Prillit do të fillojë lehtësimi gradual i masave. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh këtë të diel se është Komiteti Teknik i ekspertëve që ka hartuar strategjinë e rihapjes.

Kjo strategji parashikon katër faza për lehtësimin gradual të masave, që lidhen në mënyrë të ngushtë me evoluimin e infeksionit Covid-19 dhe shkallën e përhapjes së tij. Duke nisur nga nesër do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët duke shkuar deri në 2 orë.

“Duke filluar nga dita e hënë, datë 27 Prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtur parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundësinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë”, tha ministrja.

Siç është lajmëruar, nga 27 Prilli do të nisin të punojnë disa aktivitete të tjera biznesi. Ministrja tha se ato do të lejohet ta ushtrojnë veprimtarinë nga ora 05:00 deri në 17:30 duke plotësuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno-sanitare dhe respektimin e distancimit fizik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve.

“Ashtu siç kemi lajmëruar, të hënën në datë 27 Prill do të lejohen të ushtrojnë aktiviteet bizneset si më  poshtë: Dyqanet e veshjeve; Të tekstileve; Të këpucëve dhe artikujve prej lëkure; Dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë; Dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara; Shërbimi Taxi; Dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit; Lista e plotë e bizneseve që hapen nga dita e hënë, gjendet e plotë në portalin E-Albania”, tha Manastirliu.

Nga e hëna nis edhe lehtësimi gradual për zonat e gjelbra.

“Në zonat e gjelbërta, lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00-08:30 të mëngjesit. Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person. Përjashtim do të bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga oraret e sipërpërmendura. Në zonat e gjelbërta parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë në hapësirat publike. Sa i takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer. Është e rëndësishme të theksohet se nuk do të lejohet lëvizja me mjet privat ose si pasagjer i pensionistëve, përveç rasteve me autorizim për arsye shëndetësore. Përtej këtij orari mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizimin përkatës nga e-Albania. Pavarësisht se ka zona të gjelbërta, normaliteti i ri i bashkëjetesës me virusin, do vijojë të kërkojë lëvizje të kufizuara, vetëm për arsye thelbësore, duke ruajtur në çdo rast distancimin fizik dhe respektimin me rigorozitet të masave të sigurisë në punë dhe ne komunitet”, tha Manastirliu.

Tek zonat e gjelbra janë përfshirë Qarku Dibër; Qarku Gjirokastër; Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq; Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd si dhe Bashkia Divjakë.