Kryesore Zgjedhja e kryebashkiakes së përkohshme të Himarës, reagon Rama: Shumica e madhe...

Zgjedhja e kryebashkiakes së përkohshme të Himarës, reagon Rama: Shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin përçarjes

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur zgjedhjen e Blerina Balës si kryebashkiake të përkohshme të Himarës, duke e konsideruar një zhvillim pozitiv për ecurinë e punës në qeverisjen vendore.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama përmend edhe incidentin që ndodhi me banorët e Himarës të cilët kërkuan të dilte nga mbledhja Prefekti i Qarkut Vlorë, Vangjel Tavo, madje njëri prej tyre e pështyu në fytyrë.

Kjo çoi në shtyrjen e mbledhjes për në mesditë, ku me shumicë votash Blerina Bala, që mbante postin e nënkryetares, u zgjodh nga Këshilli Bashkiak si kryetare e përkohshme për Bashkinë e Himarës.

“Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore. Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat e Himarës”, shkruan Rama.