Aktualitet Zhdukja e dy 46-vjeçarëve në Sarandë, familjarët protestojnë para Drejtorisë së Policisë

Zhdukja e dy 46-vjeçarëve në Sarandë, familjarët protestojnë para Drejtorisë së Policisë

Fati i Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit (Krasniqi) nuk dihet ende. Dy 46-vjeçarët dyshohet që të jenë rrëmbyer dhe vrarë në Sarandë, por policia nuk ka arritur ende të zbardhë ngjarjen.

Ditën e sotme para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë familjarët e tyre kanë zhvilluar një protestë. Me pankarta në duar ku mbaheshin fotot e dy të zhdukurve u kërkua që të zbulohet se çfarë ka ndodhur me ta. Rreth 30 persona ishin mbledhur aty mëngjesin e kësaj të marte.

Kur janë mbushur rreth 27 ditë nga ngjarja e rëndë familjarët kanë zgjedhur një mënyrë të re për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtën e tyre dhe për të kërkuar nga policia që të veprojnë për këtë ngjarje.

Tre persona, përfaqësues të familjeve kanë hyrë brenda ambienteve të drejtorisë së policisë për të marrë kontakte me drejtuesit e saj për të mësuar më shumë se çfarë ka ndodhur me hetimet dhe pse u ndërprenë ato.

Deri më tani është ndaluar një 28-vjeçar i quajtur Sofokli Baxheri pasi uniformat blu dyshojnë se ai është person që ka dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë nga kontrollet në Xarrë, Vrinë dhe Shëndelli të Sarandës nuk u zbulua asgjë konkrete.

Emisioni “Uniko” publikoi mbrëmjen e kaluar një intervistë të gazetarit Spartak Koka me nënën e Leonard Thodhorit, e cila tregoi momentet e fundit me të birin dhe çfarë i ka thënë ai.

Po ashtu, aty u zbuluan fakte dhe dëshmi të reja për këtë ngjarje.