Politika “21 Janari”, Rama: Gjykata e Strasburgut foli, drejtësia të reagojë për zbardhjen...

“21 Janari”, Rama: Gjykata e Strasburgut foli, drejtësia të reagojë për zbardhjen e krimit shtetëror

Kryeministri Edi Rama ka folur sot rreth tragjedisë së 21 Janarit 2011 ku  mbetën të vrarë 4 qytetarë, ngjarje për të cilën është shprehur së fundmi dhe Gjykata e Strasburgut.

Duke iu referuar dhe këtij vendimi, Rama tha se është koha që drejtësia të reagojë për zbardhjen sa më shpejt të këtij krimi shtetëror.

“Është për të ardhur keq që ndërkohë që Gjykata e Strasburgut ka nxjerrë një vendim shumë domethënës. Shumë kuptimplotë, shumë të qartë lidhur me një krim shtetëror që prej më shumë se një dekade është mbuluar nga pluhuri i jo vetëm harresës, por edhe i pabesisë së institucioneve të drejtësisë. Reagimi i përgjithshëm debatin publik dhe mbi të gjitha i zëdhënësve të opinionit publik, i mediave, ka qenë fare i zbehtë. Por, unë nuk jam këtu për të kritikuar mediat, por jam këtu për të risjellë në vëmendje peshën e jashtëzakonshme të këtij  vendimi mbi jetën shoqërore të vendit tonë. E kam thënë që në krye të herës, që krime shtetërore si ai i 21 Janarit, vonojnë për t’u zbardhur, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur. Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, ligjin dhe natyrisht edhe me dhimbjen e të drejtën e familjarëve të viktimave dhe gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën dhe e ka trajtuar si një leckë, një provë të re të dalë para disa muajsh, është koha që drejtësia e re të reagojë pasi qysh se ky krim ka marrë rrugët e prokurorive dhe gjykatave të vendit, ka ndryshuar struktura e sistemit dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë. Leximi i vendimit është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite.

Dhe, vendosja e gishtit drejtpërdrejt tek autoritetet ekzekutive të kohës, është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor, sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri, i cili ka ardhur nga maja…Por, nga ana tjetër gjykata nënvizon edhe krimin e pengimit të drejtësisë. Është shumë  e qartë se autoritetet më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale, kriminale drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.

Unë e kam bindje të palëkundur edhe sot e gjithë ditën, që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 Janarit, por sigurisht mund të vonohet. E për këtë arsye jam këtu, duke i shprehur këto konsiderata sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave, të mos rrijë pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë tërheqja e mos këputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së bërjes deri në fund drejtësi për 21 Janarin. Përballë 21 Janarit dhe krimit shtetëror të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë herë më pak në mundësinë për të peshuar në vendosjen e plotë të të gjithë  themelit të ri të drejtësisë. Nëse 21 Janari mbetet në ajër, atëherë edhe themeli i ri i drejtësisë nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka në një vend demokratik. Në një vend ku askush nuk është mbi ligjin, ku askush nuk mund ta ushtrojë pushtetin e përkohshëm për t’i marrë jetë njerëzish të pafajshëm“, deklaroi Rama.