Ai ka një “krah fluturues” që e bën pothuajse të padukshëm për radarin, “B-2 Spirit” është një ndër me të spikaturit në avionët ushtarakë dhe gjithashtu konsiderohet si më i shtrenjti, pasi një prej tyre kushton rreth 2 miliardë dollarë.
I konsideruar si një produkt i Luftës së Ftohtë, ky avion u projektua për të hyrë pa u dalluar nga sistemi i mbrojtjes ajrore sovjetike dhe është në gjendje të mbajë dhe armë bërthamore.
Por pas fluturimit të tij të parë rreth 30 vjet më parë në vitin 1989 dhe rënies së Murit të Berlinit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, B-2 nuk hyri më asnjëherë brenda hapësirës ajrore ruse.
Sidoqoftë ai ka shërbyer në shumë raste të tjera kur ka qenë e nevojshme. Avionët B-2 u dërguan në vitin 1993 në bazën ajrore të Whiteman në Missouri dhe përdorimi i parë operacional u realizua gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.
I konsideruar si një nga mjetet më të sofistikuara ajrore që ekziston, B-2 mund të arrijë një objektiv kudo në botë dhe të rikthehet në bazë, duke pasur mundësinë që të furnizohet dhe në ajër. Ai nuk ka humbur asnjë betejë.