Gjykata e Përmetit shpall moskompetencë për dosjen me 31 personat që sot dolën për masën e sigurisë dhe ia kalon SPAK-ut.
Gjyqtari Dritan Hasani njoftoi shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e dosjes në Gjykatën e Posaçme pasi ndër të tjera është edhe akuza e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave me funksione publike.
Ndërkohë, Gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje” për Henri Çilin, njësoj si për 10 të arrestuar të tjerë në operacionin Mezhgorani”. Drejtori juridik i Universitetit Europian të Tiranës, Ilir Korbi, është lënë në arrest shtëpie.
Çili mohoi akuzat 6 për të cilat u arrestua nga policia.
Prokurorët thonë se ai mori përsipër të ndihmonte për lirimin nga burgu të vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar përkatësisht me burg përjetë dhe 18 vjet për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në vitin 2015 në Lazarat.
Në raportin e prokurorëve që u lexua edhe në gjykatë mësohet se botuesi është përgjuar duke ofruar ndihmë në këmbim të parave dhe pasurive për të ndikuar tek një anëtar i sistemit të drejtësisë, me qëllim lirimin nga burgu të vëllezërve Aliko. Ndaj Çilit rëndojnë 6 akuza, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikimi i dokumenteve, falsifikim i dokumenteve në bashkëpunim, mashtrim, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i parave.
Operacionit “Mezhgorani” nisi fillimisht për falsifikim kartëmonedhash dhe trafik të lëndëve narkotike, për më pas zbuloi tentativën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.