Në Spanjë në 24 orët e fundit janë regjistruar 10.799 raste të reja me koronavirus dhe 241 të vdekur. Të dhënat e viktimave mund të quhen më të lartat nga ajo që mund të quhet “vala e dytë”. Progresioni i virusit në Spanjë është shqetësues, edhe pse është larg nga rekordi i trishtë i 950 vdekjeve në një ditë.
Rekord testimesh në Itali
Autoritetet shëndetësore italiane kanë shpërndarë të dhënat e sotme mbi pandeminë, që sheh një rritje shqetësuese të viktimave, që sot janë 20.
Numri i tamponëve ndërkohë shënon një rekord nga fillimi i epidemisë në atë vend, pikërisht 103.696 tamponë. Testimet rekord kanë evidentuar 1640 raste pozitive, ndërkohë që dje ishin 1392. Rritet numri i të shëruarve, 995 në 24 orë, por edhe e personave në terapi intensive, 244.
Kampania rezultoi rajoni më i nxehtë me 248 raste, e ndjekur nga Lombardia (196) dhe Lacio (195).