Dita ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë e gjen Shqipërinë sipas Presidentit Ilit Meta në një gjendje tepër të rëndë ekonomike. Kreu i shtetit citon Bankën Botërore, por edhe organizata të tjera të huaja që sipas tij tregojnë se vendi ynë parashikohet që të ketë rënien më të madhe ekonomike për këtë vit, shtuar kjo edhe për shkak të pandemisë.
Por sipas Metës, përshkallëzimi i krizës së rëndë politike e institucionale, sidomos pas shkeljes së marrëveshjes së 5 Qershorit do ta përkeqësojnë situatën ekonomike, shtuar këtu edhe pandeminë.
“Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë. Varfëria është dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, ndaj lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni në radhë të parë është luftë për të garantuar dinjitetin e çdo qytetari dhe drejtësinë sociale, aq të domosdoshme, që meriton një shoqëri si e jona, për t’u zhvilluar sipas standardeve europiane”, shkruan Meta.
Presidenti shton se varfëria nuk zgjidhet me propagandë apo me statistika nga televizori.
“As me një thes miell, as me nxitjen e fenomeneve kriminale si kanabisi, që dihet se çfarë dëmesh dhe pasojash tepër të rënda sociale kanë shkaktuar. Është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 USD/dita, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve”, shkruan Meta.
Sipas tij është koha për të vepruar për të arritur drejtësinë sociale të munguar.
“Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit”, përfundon Meta.