Joe Biden ka zgjedhur ish-drejtuesen e FED, Janet Yellen, për të drejtuar Thesarin. Lajmin e bën të ditur “Wall Street Journal”, e cila citon disa burime.
Yellen do të jetë gruaja e parë në histori që do të mbajë këtë pozicion.
Ajo ka shërbyer në komitetin e politikëbërjes së Rezervës Federale gjatë krizës financiare 2008-2009 që gati rrëzoi sistemin bankar.
Ajo u bë drejtuese e FED në 2014 kur ekonomia ishte ende në rikuperim e sipër nga recesioni.
Në fund të viteve 1990, ajo ishte këshilltarja kryesore ekonomike e Presidentit Bill Clinton gjatë krizës financiare aziatike.
Sipas një personi që ka dijeni lidhur me planet e tranzicionit të Biden, ajo është zgjedhur të drejtojë Thesarin në një kohë kur ekonomia është nën kërcënimin e pandemisë.
Rritja e rasteve me virusin Covid-19 po shton presionin mbi kompanitë dhe individët, duke rritur frikën e një recesioni “të dyfishtë”.
Joe Biden ka zgjedhur Anthony Blinken si sekretar të Departamentit të Shtetit, i cili, sipas shefit të ardhshëm të Zyrës Ovale, do të jetë përgjegjës për rifillimin e Amerikës në skenën e demokracisë ndërkombëtare.