Në Venezuelë, situata po përshkallëzohet në mënyrë të frikshme. Presidenti i vendit, i cili tashmë nuk njihet nga disa vende të botës, përfshirë edhe vendin tonë, deklaroi se, qeveria e tij po përgatitet për t’u përballur me një konflikt të armatosur me popullin e tij, përballë asaj që ai e cilëson si një grusht shteti.
Ndër të tjera, Maduro njoftoi se, do të mbahet një stërvitje e madhe ushtarake nga data 10 deri në 15 shkurt, përpara grushtit të pritur të shtetit.
“Konflikti mund të ndodhë, sepse ata kanë thënë se do të vendosin ushtrinë në Caracas dhe se do t’i çojnë, nuk e di se ku. Kështu ne do të kemi në çdo qytet një plan mbrojtje për të luftuar dhe për të fituar”, deklaroi Maduro.
Ndër të tjera, Maduro, i bëri thirrje edhe ushtrisë që të qëndrojë vigjilente ndaj rreziqeve dhe armiqve të jashtëm.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën si President të vendit kreun e opozitës, duke e cilësuar Nicolas Maduron dhe qeverinë e tij si të paligjshme.
Ky vendim u pasua edhe nga shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë.
Kujtojmë se, situata ka precipituar si pasojë e krizës mjaft të rëndë ekonomike që ka goditur vendin prej thuajse 5 vitesh tashmë, me kolapsin e çmimeve të naftës, dhe që është pasuar nga një krizë humanitare dhe fluks emigrimi.