“Lulja e Diellit” është një tregim gjysmë autobiografik Simon Vizentalit, i atij që, si asnjë tjetër, ndoqi pas lufte kriminelë nazistë të fshehur kudo nëpër botë dhe ia dha drejtësisë. Është shkruar jo thjesht për të treguar një ngjarje makabre, por edhe për të hapur një diskutim të gjerë mbi krimin, ndëshkimin apo mundësinë e faljes së kriminelëve politikë dhe ideologjikë, apo kriminelëve në përgjithësi.
Gjatë luftës, kur qe i internuar, teksa ishte çuar të punonte në një spital ushtarak nazist si pastrues, Vizentali u thirr nga një infermiere dhe u çua në një dhomë spitali ku dergjej një oficer SS, njëzetedy vjeçar, i plagosur për vdekje. I plagosuri, Karli, i fashuar i gjithi, të cilit mund t’i shiheshin vetëm goja, hunda dhe veshët, kërkoi që Vizentali, duke qenë hebre, t’i dëgjonte historinë e një episodi të jetës së tij, kur ai, së bashku me të tjerë, ishin urdhëruar të digjnin të gjallë brenda një ndërtese në Dniepropetrovsk, në Ukrainë, rreth 300 hebrenj të pafajshëm; t’i shprehte atij pendesën dhe t’i kërkonte falje. Vizentali e dëgjoi oficerin SS në heshtje dhe iku, po në heshtje, pa i thënë asnjë fjalë.
Ndonëse edhe me heshtje mbajti një qëndrim, Vizentali nuk ishte i sigurt nëse qëndrimi i tij ishte apo jo ai i duhuri. Ai kërkoi të dinte nëse ishte më mirë të fliste e t’i jepte falje nazistit të penduar; të fliste, ta kritikonte, ta dënonte dhe të mos e falte; apo, nëse qëndrimi që mbajti mund të konsiderohej si i pranueshëm. Për këtë, ai pyeti shokët e tij të kampit, prej të cilëve mori përgjigje të ndryshme. Pas 25 vjetësh të ngjarjes, në vitin 1969, në botimin e parë të librit, ai iu drejtua shumë intelektualëve të fushave të ndryshme, për të marrë mendimet e tyre se ç’do të bënin ata, po të ishin në vendin e tij. Përgjigjet që japin ata, gjithsej njëzet e një, së bashku me përgjigjet që japin disa vite më pas edhe tridhjetë e dy të tjerë, përfshihen në librin “Lulja e Diellit”, të botuar në anglisht në vitin 1997, i cili u shqipërua prej meje dhe u botua në vitin 2015. Janë, pra, 53 personalitete të besimeve, vendeve, kulturave dhe përvojave të ndryshme që analizojnë krimin, faljen apo mos faljen e fajtorit si dhe qëndrimin e Vizentalit.
Ndër të pyeturit ishte edhe Tcvetan Todorov, filozof e moralist bullgar, i cili qysh nga viti 1963 ka jetuar në Francë. Aty edhe ndërroi jetë pak ditë më parë. Todorovi ka botuar shumë libra midis të cilëve, edhe librin me titull “Duke përballuar ekstremen: jeta morale në kampet e përqendrimit”. Ka dhënë leksione në universitetet Kolumbia, Jeil dhe Berkli në SHBA.
Pyetja që ngre Vizentali i kalon shumë caqet e tregimit apo të përvojës së tij me nazistët. Ai problem është universal dhe i përhershëm. Ai ka të bëjë me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj së keqes dhe keqbërësve, ndaj krimit dhe kriminelëve; me faljen, apo me ndëshkimin; me harresën, apo me kujtesën. Ai ka të bëjë me qëndrimin e vetë kriminelit ndaj krimit të kryer prej tij: me pendesën apo me kryeneçësinë, me kuptimin e fajit apo me moskuptimin e tij, me shlyerjen e fajit apo me kryerjen edhe të një faji tjetër më të rëndë, me personin apo grupin që ka të drejtën e faljes. Trajtimi i këtyre dilemave dhe mbajtja e qëndrimit të duhur si nga krimineli edhe nga të tjerët, ndikon në mundësinë e shkallës së përsëritjes apo të mospërsëritjes së të këqijave të historisë, në krijimin e një qytetërimi të moralshëm e të shëndetshëm, apo të një “qytetërimi” përsëri imoral e kriminal. Veçanërisht për ne shqiptarët që e kemi provuar krimin dhe që, mjerisht, vuajmë nga harresa, trajtimi drejtë i së keqes dhe i keqbërësit, i krimit dhe i kriminelit, është me shumë vlerë.
Libri i Vizentalit është përdorur si tekst mësimor për të studiuar jo thjesht Holokaustin por, sidomos, qëndrimin që duhet mbajtur ndaj keqbërësve, për qëndrimet që mbajnë ndaj tyre kultura dhe fe të ndryshme.
Për të vendosur për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Karlit, së pari duhet të saktësohet kjo çështje: a mund të falet një fajtor që kërkesën për falje e ka të sinqertë dhe jo oportuniste: të bërë nga interesi, nga frika e një ndëshkimi drejtësie, nga frika e ndëshkimit të opinionit të ri, apo për ndonjë arsye që nuk lidhet me pendesën e vërtetë?
Në qoftë se bindemi se ka pendesë dhe se ajo është e sinqertë, them se kemi të drejtë, por jo detyrë, të diskutojmë faljen e fajtorit.
Janë me shumicë ata të cilëve kur u bije regjimi i tyre kriminal, regjimi që e kanë mbajtur vetë, regjimi për të cilët qenë instrumente të tij, i kthejnë krahët, marrin poza të forta kundërshtuese ndaj tij, thonë se kanë vuajtur edhe vetë prej tij, thonë se me mënyrën se si kanë vepruar i kanë futur ujin nën rrogoz atij regjimi, apo se kanë kuptuar me vonesë ligësinë e tij dhe se tashti kanë ndryshuar, se ndryshimi është në natyrën e njeriut, se ai ndryshim përfaqëson rritje dhe përmirësim për njeriun. Çfarëdo që të thonë këta njerëz, mbasi regjimi kriminal të cilit i shërbyen ra, nuk besohet dhe, madje, është e natyrshme që të të krijojnë edhe një ndjenjë pështirosjeje. Mund të quhet i ndryshuar vërtetë dhe sinqerisht ai person që qe pjesë e regjimit kriminal dhe e kundërshtoi atë, pikërisht kur ai regjim ishte në lulëzim, kur ai ishte i fortë, kur ai nuk kishte ndonjë arsye të dyshonte për mosdashurinë apo mosbesnikërinë e atij personi. Ky do të ishte ai që mund të quhej disident, domethënë ai që ishte pjesë e regjimit dhe që u shkëput prej tij, që e kundërshtoi atë, duke rrezikuar. Mund të quhet i ndryshuar edhe ai, natyrisht në një shkallë më të ulët se i pari që, më pas, pasi regjimi ra, jo vetëm që dënon regjimin që mbështeti, jo vetëm që dënon të kaluarën e tij, jo vetëm që kërkon falje publike, por që orvatet edhe ta shlyejë të keqen e bërë.
Nga oficeri nazist vihet re se ai e ka ndjerë veten keq përnjëherë mbas kryerjes së krimit dhe është penduar për të. Ai nuk u pendua në çastet e vdekjes. Ai u pendua shumë më parë. Duket se pendesa e tij ishte e sinqertë dhe, mesa dimë, në përgjithësi është e rrallë. Është e rrallë jo vetëm për nazistët, por edhe për kriminelë të ngjyrave të tjera. Për Karlin duket se ka ndikuar edhe edukimi i tij fetar në rini. Zakonisht kriminelët që kryejnë krime në emër të një ideologjie, që mund të jetë ideologji politike, ideologji fetare, ideologji nacionaliste apo e çfarëdo lloji tjetër, në përgjithësi as që kuptojnë që kanë kryer krime, pa le më të pendohen për to e të kërkojnë falje. Karli jo vetëm shpall pendesën, por shton: “Më beso, do të jem gati të vuaj më keq dhe më gjatë, në qoftë se në atë mënyrë do të sillja përsëri në jetë të vdekurit e Dniepropetrovskit”. Pra, ai jo vetëm shpall pendesë, por është gati ta shlyejë në njëfarë mënyre krimin e bërë me vuajtjen e tij.
Po ashtu, kriminelët që nuk i ka parë kush në veprim e sipër, nuk i shprehin botërisht krimet e tyre. Ata, edhe kur kanë kuptuar se kanë bërë diçka të keqe, e mbajnë atë brenda vetes, në rastin më të mirë, si një brejtje ndërgjegjeje. Kështu, rasti i Karlit, të cilin nuk e pa kush të kryente akte kriminale, por deklaroi vetë se i kishte kryer ato dhe shprehu pendesë për to, është gjithashtu i rrallë.
Për të gjitha këto, ndonëse krimi i tij qe i përbindshëm, ai meriton si përgjigje një qëndrim krejt të ndryshëm prej atij që mund t’i jepej një tjetri që kishte kryer të njëjtin krim dhe që nuk u pendua dhe nuk u deklarua kurrë, madje u mburr me të.
Falja, kur jepet brenda kufijve të arsyes, mund të ketë forcë të jashtëzakonshme në strukturimin për mirë të shoqërisë njerëzore. Fetë në përgjithësi dhe, sidomos, krishterimi i kanë dhënë një vend të rëndësishëm, madje ekstrem, kërkesës së faljes dhe akordimit të saj.
Mendimi i Tcvetan Todorovit për sjelljen e Vizentalit dhe në përgjithësi për qëndrimin ndaj një krimineli të penduar, ashtu siç jepet në librin e Vizentalit, është ky:
“Çfarë duhej të kishte bërë Simoni? Ç’duhej të kisha bërë unë, në qoftë se do të isha në vendin e tij? Le t’i përgjigjem më parë pyetjes, ashtu siç qëndron ajo. I vetmi që mund të falë, është ai që ka provuar lëndimin. Çdo zgjatim për analogji, nga individi për te grupi, më duket i paligjshëm: nuk mund të falet me prokurë më shumë nga ç’mund të bëhesh viktimë me shoqërim, apo duke mbajtur një faj kolektiv. Prandaj, vrasja, me përkufizim, nuk mund të falet, grupi i lënduar nuk ekziston më që të bëjë faljen. Duhet të shtoj që, meqenëse nuk jam edukuar për të qenë besimtar i krishterë, nuk e kam konsideruar shfajësimin fetar si një element të rëndësishëm të jetës. Drejtësia dhe morali për mua janë shumë më të rëndësishëm.
“Prandaj po përpiqem të shkoj pak më tej për të riformuluar pyetjen në termat e mia: si do ta gjykonim SS-in të përshkruar nga Vizentali dhe çfarë duhet të mendonim për të? Faji i tij është i pa diskutueshëm; ai që përbën problem është në se duhet të marrim parasysh keqardhjen dhe pendesën e tij. Përvoja tregon se shumica e kriminelëve nazistë nuk ndjeu keqardhje për veprimet që kryen. Në Nuremberg, Shperi qe i vetmi që e konsideroi veten pjesërisht fajtor. Në gjyqin e Aushvicit në vitin 1963, vetëm ish-viktimat ishin në ankth; ish-ekzekutorët dukej se nuk shqetësoheshin fare nga brejtja e ndërgjegjes. E njëjta gjë ka ndodhur me kriminelë të të tjerave krime në vendet totalitare, apo edhe sot në ish-Jugosllavi: roje të kampeve të përqendrimit, njëlloj si superiorët e tyre, e konsiderojnë veten të pafajshëm. Në këtë anë, njeriu i Vizentalit është i ndryshëm dhe vetëm për të theksuar ndryshimin, ai meriton tjetër trajtim: jo shfajësim, afërmendsh, por njohjen e nisjes së atij aktiviteti të posaçëm njerëzor që çon drejt një ndryshimi për mirë, atë që Rusoi e quante përkryershmëri.
“Nuk mund të injoroj ngritjen e këtyre çështjeve sot, më se pesëdhjetë vjet pas ngjarjeve. Ne nuk po shohim një veprim në të tashmen, por një veprim në të shkuarën që ndodhet në kujtesën tonë. Ç’farë mund të bëjmë me të keqen e së shkuarës, si mund ta vëmë atë në shërbim të edukimit tonë moral? Krimet e nazizmit janë të tilla që e bëjnë të pamundur ngatërrimin e vlerave. E keqja ka ekzistuar vërtetë dhe nuk është në asnjë mënyrë relative. Vetëm për këtë arsye, ajo duhet të na mbetet në kujtesë. Hapi i dytë në këtë edukim duhet të jetë refuzimi i prirjes për të identifikuar të keqen vetëm me tjetrin, dhe të mirën vetëm me veten, si dhe duke njohur atë që ka thënë Romain Gary, që jonjerëzorja është pjesë e njeriut. Duke refuzuar relativizmin, nuk do të thotë të përqafojmë ndarjen manikeiste midis së keqes dhe së mirës. Është bashkëveprimi komplementar i këtyre dy aspekteve të gjykimit moral, më duket mua, që na lejon t’i përdorim gjykimet e drejta të së shkuarës në të tashmen, në mënyrë që të luftojmë të këqijat e sotme dhe jo vetëm të djeshmet”.