Bashkë me përshëndetjen për nisjen zyrtarisht të fushatës zgjedhore, Ambasada e SHBA në Tiranë lëshoi edhe një paralajmërim për të gjithë udhëheqësit politikë.
Mesazhi është i qartë: SHBA nuk pret as më pak dhe as më shumë se një proces të qetë dhe të drejtë zgjedhor dhe se po mban shënime për të gjithë shkelësit e mundshëm, që i paralajmëron se do të vihen para përgjegjësisë.
“Si miku dhe aleati juaj. SHBA i ka bërë të qartë pritshmëritë. Ritheksojmë se për këtë do të mbajnë përgjegjësi udhëheqësit. Në këtë këndvështrim, ata në pushtet kanë përgjegjësinë kryesore për të vepruar në përputhje me interesat e vendit. Do të marrim masat e nevojshme ndaj atyre që pranojnë dhe promovojnë dhunën, pranojnë, ose promovojnë shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe standardeve europiane, ose të minojnë integriteti dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe rezultatit të tij”, thuhet në deklaratën e SHBA.
SHBA u bën thirrje partive politike dhe kryetarëve të tyre që të konkurrojnë me ide e program dhe të shmanget dhuna.
“U bëjmë thirrje të gjitha partive, udhëheqësve dhe votuesve që të aktivizohen plotësisht dhe me përgjegjshmëri të ushtrojnë të drejtat që kanë. U bëjmë thirrje partive që të ballafaqojnë idetë dhe kandidatët të reflektojnë respekt për votuesit. Presim nga udhëheqësit që të tregojnë lidership, duke u siguruar që partitë e tyre dhe kandidatët t’i binden ligjit zgjedhor dhe standardeve ndërkombëtare duke refuzuar qartësisht dhunën dhe duke demonstruar se janë të denjë për të drejtuar dhe përfaqësuar Shqipërinë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Shoqërisë civile i kërkohet që të luajë rolin e saj të rëndësishëm në të gjithë procesin zgjedhor. SHBA thotë se një proces i drejtë dhe i ndershëm është ajo çfarë shqiptarët meritojnë dhe SHBA nuk pret më pak.