Pas 3 vitesh larg nga intervistat televizive, Elvana Gjata bëri mbrëmë daljen e saj të parë në media. E shoqëruar nga motra Migena, ata treguan shumë të pathëna nga jeta e tyre.
Si të gjitha motrat e mëdha edhe Migena është kujdesur për Elvanën madje, madje ajo ka ndarë dhe bursën prej 70 mijë lekësh të vjetra që merrte nga shkolla për t’i bërë qejfin Elvanës.
“Nuk e kam sakrifikuar, e kam ndarë, si çdo gjë që ka qenë e imja e kam ndarë me motrën. Nuk do ta quaja sakrificë, por do ta quaja ndarje, sepse doja t’i bëja qejfin, motra e vogël, kishte teka. Jepej një lloj burse për studentët që dilnin me 10-ta dhe ishte një bursë 70 mijë lekë të vjetra. Këto ishin paratë e mia të xhepit, kafet në Akademinë e Arteve. Vinte Ela e vogla që ishte e fiksuar pas ëmbëlsirave dhe t’ju them nuk ka njeri që bën ëmbëlsirën më të mirë, përveç pjatave kryesore. Unë mezi e pres edhe për këtë”, është shprehur Migena Gjata.
Ndërsa Elvana tregoi më tej se si motra e saj kursente dhe kafen që Elvana të hante gjërat që dëshironte.
“Ishim ulur në kafene. Në fakt duhet ta themi që jemi rritur në një familje me plot sakrifica dhe jo çdoherë kishim mundësi. Ne me motrën dilnim në kafe dhe motra më thoshte ‘e dashur motra ime, sot kemi 2 mijë lekë për të shpenzuar së bashku dhe motra do të pijë një kafe në mënyrë që ti të marrësh një ëmbëlsirë dhe unë gëzohesha dhe thoja sa e mirë është kjo motra ime. Vinte kamerieri, çfarë do marrësh? Thoshte motra do marr një kafe. Çfarë do marrësh ti motra e vogla? Unë do marr një xup, një picë dhe një kola. Dhe Migena ishte, ok unë po e kthej atë kafen, do detyrohemi ta heqim dhe picën”, ka treguar Elvana Gjata duke qeshur në “Soiree”.