Bota Biden: Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm

Biden: Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm

Ambasada e SHBA ne Kiev

Ekziston mundësia që Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm, ka paralajmëruar presidenti amerikan Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden paralajmëroi presidentin e Ukrainës se ekziston një “mundësi e dukshme” që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake në muajin shkurt.

Kremlini tha se sheh pak vend për optimizëm në zgjidhjen e krizës, pasi SHBA-ja refuzoi kërkesat kryesore të Rusisë.

Presidenti Biden gjatë kësaj bisede tha se u përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh.

“Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne.

“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë”, shtoi ajo.

Biden “rikonfirmoi gatishmërinë e SHBA bashkë me aleatët për t’u përgjigjur me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Zelenskiy tha se me Biden ka “diskutuar lidhur me përpjekjet e fundit diplomatike për ç’tensionimin e situatës dhe u pajtuam për veprime të përbashkëta në të ardhmen”.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën ka rritur shqetësimet se Moska është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Rusia ka prezantuar kërkesat e sigurisë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi përgjigje me shkrim. Kërkesat kryesore ishin ndalimi i Ukrainës që të anëtarësohet në NATO dhe që aleanca ushtarake të mos zgjerohet nga lindja.

Rusia ndërkohë thotë se sheh “pak terren për optimizëm”, në zgjidhjen e krizës pas refuzimit të SHBA-së për kërkesat e tyre kryesore. Sipas disa raporteve konfidenciale, disa ekspertë ushtarakë sugjerojnë se Rusia, ndoshta, është duke pritur që terreni në Ukrainë të ngrijë, në mënyrë që të mund të zhvendosin pajisjet dhe armatimet e rënda.