Presidenti amerikan, Richard Nixon i dhuroi 135 shteteve dhe pesëdhjetë shteteve amerikane copëza të vegjël shkëmbinjsh nga Hëna, të cilat u mblodhën nga astronautët në misionet Apollo 11 dhe Apollo 17. Por shumë prej tyre mungojnë sot.
Disa nga këto gurë nuk janë më në vendin e mëparshëm, ose janë vjedhur dhe shkatërruar përgjatë kohës. Ju njohim me historinë e disa prej tyre.
Kjo listë bazohet në kërkimet e një ish-punonjësi të NASA-s, Joseph Gutheinz i njohur me pseudonimin “gjuetari i gurëve shkëmbore të Hënës” që i kishin ngjitur studentët e tij, dhe të ueb-it të specializuar për historinë hapësinore collectSpace.
Afganistan
Dy copëzat që iu dhuruan Kabulit janë zhdukur.
Qipro
Një nga gurët që do t’i jepeshin Qipros nuk u dorëzua kurrë për shkak të pushtimit turk të një pjese të ishullit në korrik 1974 dhe vrasjes së ambasadorit amerikan një muaj më vonë.
Honduras
Guri që iu dha Hondurasit, pjesë e misionit Apollo 17 u rigjet në 1998 nga vetë Joseph Gutheinz dhe një punojës i Postës amerikane, Bob Cregger, gjatë një operacioni të quajtur ‘’Eklipsi i Hënës’’.
Një kolonel i ushtrisë së Hondurasit ia shiti gurin një biznesmeni nga Florida, Alan Rosen, për 50.000 dollarë. Ky i fundit u përpoq të shiste gurin për 5 milionë dollarë. Guri u gjet më në fund për t’iu kthyer Hondurasit.
Irlandë
Guri që iu dhurua Irlandës u ekspozua në Observatorin Dunsink në Dublin, i cili u shkatërrua në 1997 pasi u përfshi nga flakët. Rrënojat e observatorit, përfshirë kampionin e vyer, përfunduan në një pikë grumbullimi të mbeturinave në veri të kryeqytetit.
Libi
Copëzat e shkëmbinjve hënor iu dhuruan kolonelit, Mouammar Kadhafi, në atë kohë udhëheqësi i Libisë, janë zhdukur.
Maltë
Dhurata për Maltën, e marrë nga Apollo 17, u vodh në një muze në maj të 2004. Ende nuk është gjetur.
Nikaragua
Guri i Nikaragua i Apollo 17 mendohet t’i jetë shitur një personi në Lindjen e Mesme, për një shumë që besohet mes shifrës 5-10 milionë dollarë.
Guri i sjellë nga Apollo 11 përfundoi në duart e një pronari kazinoje në Las Vegas, i cili një periudhë e ekspozoi në ‘’Moon Rock Cafe”. Pas vdekjes së tij, guri iu dorëzua NASA-s, e cila ia ktheu mbrapsht Nikaraguas.
Rumani
Një muze i Bukureshtit ekspozon gurin Apollo 11.
Mendohet se guri i misionit Apollo 17 u shit nga pasardhësit e diktatorit Nikolai Çaushesku, i ekzekutuar së bashku me bashkëshorten Elena ditën e Krishtlindjes 1989.
Spanjë
Copëzat e Apollo 17 që iu dorëzuan Spanjës u ekspozuan në Muzeun Detar të Madridit, pasi iu bënë dhuratë familjes së admiralit Luis Carrero Blanco, personalitet me peshë i regjimit të Frankos, i vrarë nga organizata separatiste baske ETA në 1973.
Guri i sjellë nga Apollo 11 mungon, por mendohet të ketë mbetur në familjen e ish-diktatorit Franko.