Nga Frank Gardner, BBC
Princesha Haya Bint al-Hussein, gruaja e sundimtarit të Dubait, sheikut Mohammed Al Maktoum, po fshihet në Londër. Ajo thotë se druhet për jetën pasi është arratisur nga i shoqi.
Sheiku Mohammed, 69 vjeç, është një miliarder, pronar kuajsh garash dhe shpesh është parë duke biseduar me Mbretëreshën angleze në Ascot. Ai ka postuar një poemë me zemërim në Instagram, ku akuzon një grua të paidentifikuar për mashtrim dhe tradhti.
E lindur në Jordani dhe e shkolluar në Britani, princesha Haya, 45 vjeç, u martua me sheikun Mohammed në vitin 2004, duke u bërë gruaja e tij e gjashtë dhe më e re.
Sheiku Mohammed raportohet se ka 23 fëmijë me gra të ndryshme.
Princesha Haya u arratis fillimisht në Gjermani për të kërkuar azil. Tani ajo thuhet se po jeton në një shtëpi me vlerë 107 milionë dollarë në qendër të Londrës dhe po përgatitet për një betejë ligjore në Gjykatën e Lartë.
Por përse ajo u arratis nga jeta luksoze në Dubai dhe përse thotë se ka frikë për jetën e saj?
Burimet pranë saj thonë se princesha Haya së fundmi ka zbuluar të dhëna shqetësuese pas rikthimit misterioz në Dubai gjatë vitit të shkuar të Sheikha Latifa, një prej vajzave të sundimtarit. Ajo u arratis nga Dubai me ndihmën e një francezi, por u kap nga persona të armatosur në brigjet e Indisë dhe u kthye në shtëpi.
Në atë kohë, Latifa tha se kërkonte të arratisej pasi nuk ndjehej e lirë.
Autoritetet në Dubai thanë se Sheikha Latifa ka qenë vulnerabël për shfrytëzim dhe tani është e sigurt. Por avokatët e të drejtave të njeriut thonë se ajo është rrëmbyer me dhunë kundër vullnetit të saj.
Prej atëherë, princesha Haya mendohet se ka mësuar fakte të reja për rastin në fjalë dhe ishte nën presion nga anëtarët e familjes së zgjeruar të bashkëshortit deri në pikën kur nuk u ndje e sigurt atje.
Një burim pranë saj tha se ajo druhet se mund ta rrëmbejnë dhe ta kthejnë në Dubai. Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Londër ka refuzuar të komentojë, duke thënë se është një çështje personale mes dy individëve.
Megjithatë ka një element më të gjerë ndërkombëtar në këtë histori.
Princesha Haya, që është edukuar në shkollën Bryanston dhe më pas në universitetin e Oksfordit, thuhet se kërkon të qëndrojë në Britani.
Nëse burri i saj kërkon rikthimin, atëherë kjo do jetë një dhimbje koke diplomatike për Britaninë, e cila ka lidhje të ngushta me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rasti është i vështirë edhe për Jordaninë, pasi princesha Haya është gjysmë-motra e mbretit Abdullah të Jordanisë. Reth çerek milionë jordanezë punojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke dërguar remitanca, prandaj Jordania nuk mund të përballjë një përplasje me Dubain.