George Monbiot, The Guardian
Shtatë vite më parë, humoristi imitues, Rori Bremner, u ankua se politikanët ishin bërë aq të mërzitshëm sa pak kishte prej tyre që t’ia vlente t’i imitoje: “Janë shumë homogjenë dhe të mërzitshëm. I shoh personazhet si pengesë”. Profesioni i tij ka problemin e kundërt sot: sado ekstreme të bëhen personazhet e komedisë, vështirë të arrijnë personazhet e realitetit. Sfera politike, e cila ishte aq gri dhe e mërzitshme disa vite më parë, tani është mbushur me ekzibicionistë.
Kjo rrymë nuk shihet vetëm në Britaninë e Madhe. “Klounët vrasës” po pushtojnë skenat gjithandej. Boris Xhonson, Nigel Farazh, Donald Trump, Narendra Modi, Jair Bolsonaro, Skot Morrison, Rodrigo Duterte, Mateo Salvini, Rexhep Taip Erdogan, Viktori Orban e shumë udhëheqës të tjerë “të fortë” – ose më mirë “të dobët”, siç dalin shumicën e rasteve – po mbizotërojnë nëpër kombe ku dikur do t’i kishin tallur. Pyetja është se pse. Pse teknokratët që deri pak vite më parë mbanin pushtetin, tani po ua lënë vendin klounëve ekstravagantë?
Rrjetet shoqërore, një inkubator absurditeti, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë rast. Por ndonëse është bërë punë e mirë për të hetuar mënyrat, çuditërisht, pak mendime janë dhënë në lidhje me përfundimet. Pse ultra të pasurit, të cilët deri dje i përdornin paratë dhe mediat për të reklamuar politikanë pa karizma, tani po financojnë një cirk të tillë? Pse kapitali i mesëm dëshiron që të përfaqësohet një herë nga menaxherë, e pastaj nga klounë?
Besoj se arsyeja lidhet me faktin që kemi një ndryshim të natyrës së kapitalizmit. Forca mbizotëruese në vitet 1990 dhe 2000 ishin korporatat e fuqishme, dhe ato kishin nevojë për qeveri teknokrate. Donin njerëz që mund të drejtonin një shtet të aftë e të sigurt, por në të njëjtën kohë, të mbronin fitimet e tyre nga ndryshimet demokratike. Në vitin 2012, kur Bremneri bëri ankesën e tij, kjo fuqi ishte zhvendosur, por politika nuk e kishte ndjekur dot.
Ato politika që duhej të reklamonin bizneset e mëdha duke ulur taksat për të pasurit, duke dobësuar mbrojtjen e publikut dhe duke shkatërruar sindikatat tregtare, në fakt nxitën një vorbull të fuqishme që çoi drejt akumulimit të pasurisë. Tani, pasuritë më të mëdha në botë nuk i përkasin gjenive të biznesit, por trashëgimtarëve që duan monopole që mund t’i japin me qira: duke siguruar kontrollin e tyre ekskluziv ndaj aseteve kryesore, si tokat dhe ndërtesat, si dhe duke krijuar monopole shërbimi, si kompanitë e këmbimeve tregtare, programet kompjuterike, platformat e rrjeteve shoqërore, etj. Dhe këtë e arrijnë duke vendosur tarifa ndaj përdoruesve, të cilat janë shumë herë më të larta se kostoja e prodhimit. Në Rusi, njerëzit që pasurohen në këtë mënyrë quhen oligarkë. Por në fakt është dukuri botërore. Fuqia e korporatave në ditët e sotme është duke u shndërruar në pushtet oligarkësh.
Oligarkët nuk duan të njëjtën gjë që donin korporatat. Siç thotë dhe teoristi i tyre i preferuar, Stiv Benon, ata duan që të çmontohet shteti administrativ. Kaosi është faktori që ua shumëfishon fitimet në kapitalizmin e rrëmujshëm ku po fuqizohen miliarderët e sotëm. Çdo ndërprerje e fuqive administrative përdoret për të përvetësuar më shumë asete nga të cilat varen jetët tona. Kaosi i Brexit-it që nuk po arrin të kryhet, bllokimet e përsëritura të buxheteve qeveritare nga Trump… këto janë çmontimet që kishte parashikuar Benoni. Teksa institucionet demokratike shpërthejnë brenda vetes, oligarkët e zgjerojnë pushtetin mbi kurrizin tonë.
Klounët vrastarë u ofrojnë oligarkëve edhe diçka tjetër: shpërqendrim dhe devijim. Ndërkohë që kleptokratët na zhvatin, ne nxitemi që ta mbajmë mendjen tjetërkund. Hutohemi nga klounët që zemërimin që duhej ta kishim ndaj miliarderëve, na shtyjnë ta kanalizojmë te emigrantët, gratë, hebrenjtë, myslimanët, njerëzit me ngjyrë, armiqtë imagjinarë dhe grupet e tjera, të cilëve është bërë e modës t’u hidhet faji. Njësoj s në vitet 1930, demagogjia e sotme është mashtrim, revoltë kundër ndikimeve të kapitalit, e financuar nga kapitalistët.
Interesat e oligarkëve janë larg brigjeve të vendeve të tyre, “offshore”, nëpër parajsa fiskale dhe regjime sekrete. Paradoksalisht, këto interesa janë ato që reklamohen më shumë nga nacionalistët dhe nativistët. Politikanët që brohorasin më fort për patriotizmin dhe mbrojtjen e sovranitetit, janë të parët që i shesin kombet e veta. Nuk është rastësi që shumica e gazetave që promovojnë programe nacionaliste, që fryjnë urrejtje kundër emigrantëve, janë pronë e miliarderëve të cilët i fshehin taksat jashtë vendit.
Ashtu si jeta ekonomike, edhe jeta politike është mbajtur jashtë vendit. Udhëheqjet politike që nuk i lejojnë paratë e huaja të financojnë politikat vendase, tashmë kanë rënë. Përfituesit kryesorë janë mbrojtësit e vetë-shpallur të sovranitetit, të cilët ngrihen në pushtet me ndihmën e reklamave të rrjeteve shoqërore, të blera nga persona të panjohur, nga grupe ekspertësh dhe lobistë që refuzojnë të tregojnë burimet e të ardhurave. Një ese e kohëve të fundit, nga akademikët Reijer Hendrikse dhe Rodrigo Fernandez, argumenton se financat “offshore” krijojnë komercializimin dhe shthurjen e sovranitetit shtetëror, si dhe përpiqen ta kalojë pushtetin në një hapësirë sekrete, jashtë territoreve dhe larg kontrollit të shteteve. Në botën “offshore”, shkruajnë ata, “shteti i vërtetë është fitimi i kapitaleve botërore, kapitale të financueshme shpejt e tepër të lëvizshme.”
Miliarderët e sotëm nuk janë nënshtetas të asnjë vendi. Ashtu si plutokratët në romanin e tmerrshëm të Ain Rand, “Atlas Shrugged”, ata fantazojnë të shmangen edhe më shumë. Shikoni sipërmarrjen e nisur nga themeluesi i “Paypal”, Piter Thiel, që donte të ndërtonte ishuj artificialë në mes të oqeanit, ku të jetonin banorë që do të vinin në jetë një botë fantazie që i shpëtonte ligjeve, shteteve, rregullave dhe taksave, si dhe punës së organizuar. S’ka muaj që nuk dëgjohet një miliarder të thotë se po mendon të largohet nga toka, të kolonizojë hapësirën e planete të tjera.
Ata që e kanë identitetin të larguar në vende “offshore”, duan të largohen edhe më tej. Për ata, një shtet-komb është edhe lehtësues, edhe pengesë: edhe burim pasurie, edhe barrë taksash; dhe krah i lirë pune, edhe masë plebenjsh mosmirënjohës, prej të cilëve duhet të largohen sa më larg, duke i lënë të vegjlit e tokës në fatin e tyre të mjerë, të cilin e meritojnë.
Të mbrosh veten nga oligarkia do të thotë t’i taksosh. Është e lehtë të ngatërrohesh në debate pa fund për se të gjetur se cili është niveli i duhur i taksës që maksimalizon të ardhurat. Ka argumente pa fund për kurbën “Laffer”, e cila përpiqet ta tregojë këtë nivel. Por këto diskutime harrojnë diçka thelbësore: rritja e të ardhurave është vetëm njëri qëllim i taksave. Një tjetër qëllim është këputja e spirales së akumulimit të pasurisë së trashëguar.
Këputja e kësaj spiraleje është një nevojë e demokracisë: përndryshe, oligarkët, siç kemi parë deri tani, arrijnë të mbizotërojnë të gjithë jetën kombëtare dhe ndërkombëtare. Spiralja nuk ndalon vetë. Vetëm masat e ndërmarra nga qeveritë mund ta arrijnë këtë. Kjo është një nga arsyet se pse gjatë viteve 1940, niveli më i lartë i taksës mbi të ardhurat shkoi deri në 94% në SHBA, dhe 98% në Britani. Një shoqëri e drejtë kërkon rregullime të herëpashershme të këtij niveli. Por në kohët e sotme, taksat më të larta duhet të shënjestrohen më mirë ndaj pasurive të akumuluara e që nuk janë fituar vetë.
Sigurisht, bota “offshore” e miliarderëve ka krijuar politika të guximshme dhe tepër të vështira. Fundja, kjo është një nga qëllimet e tyre. Por të paktën e dimë se cili duhet të jetë synimi, dhe të fillojmë ta njohim se në ç’nivel do të jetë sfida. Që ta luftojmë diçka, më parë duhet ta kuptojmë.