Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) zhvilloi seancën dëgjimore për Besim Hajdarmatajn, ish-drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Sipas ILDKP, deklarimi i tij i pasurisë është i saktë, ka burime financiare të ligjshme, nuk ka fshehje pasurie, nuk ka deklarim të rremë dhe nuk ka konflikt interesi.
Në deklaratën për vetting-un, Hajdarmataj ka deklaruar llogari bankare 5 milionë dhe 1 milion leke. Burime janë të ardhurat nga paga dhe kursimet; gjendje kesh 500 mijë lekë, burim nga paga; llogari rrjedhëse: 900 mijë lekë.
Ndërkohë, dhuratë nga vëllai në Angli ka pasur 6 000 euro dhe 4 000 paundë.
Analiza financiare e Hajdarmatajt është pozitive në periudhën 2003-2016.
Përsa i përket figurës, sipas DSIK, Hajdarmataj është i përshtatshëm për vijimin e detyrës.
Gjithashtu rezulton se Hajdarmataj nuk është përfshirë direkt apo indirekt me persona të papërshtatshëm. Ai është vlerësuar shumë mirë nga Prokurori i Përgjithshëm në vitet 2014, 2015 dhe 2016.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, subjekti i rivlerësimit ka aftësi të mira në interpretimin e ligjit, ka aftësi të mira organizative dhe menaxheriale, ndërkohë për çështjet penale është i saktë në hetim dhe nuk zvarrit çështjet.
Ndaj Besim Hajdarmatajt rezultojnë 11 denoncime pranë KPK-së dhe tre denoncime të raportuara në media online. Këto ankesa janë dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme, por kjo e fundit në përgjigjen e saj ka thënë se me ndryshimet e reja ligjore duhet të merret gjykata. Më pas edhe në ONM kanë mbërritur 3 denoncime, ku është pretenduar se ka miqësim me një shtetas të proceduar për trafik droge.
Mirëpo nga hetimi i KPK nuk rezultoi që subjekti nuk ka lidhje me njerëz të botës së krimit.
Besim Hajdarmataj është prokurori, i cili ka pasur në duar çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dosjen 184, dosjen 339 si dhe dosjen Shullazi.
Në vitin 2018 ai u transferua në Pogradec nga kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku. Ndërkohë më herët, ajo e shkarkoi si drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku u zëvendësua me Donika Prelën.
Ishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili e ktheu sërish prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.