Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar Ylli Manjanin si ministër të Drejtësisë dhe në vend të tij ka emëruar Petrit Vasilin.
Kryeministri Edi Rama ka dërguar presidentit Nishani propozimin për emërim të ministrit ku thuhet: “Kryeministri Edi Rama ka firmosur lirimin nga detyra të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Petrit Vasili”
Shkresa e shkarkimit të tij erdhi vetëm dy orë nga takimi që kryeministri Rama pati sot me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta në kryesinë e Kuvendit.
Sipas zërave pranë kabinetit “Rama”, kryeministri i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të LSI-së për arsye se flet shumë dhe shpesh në kundërshtim me vijën e përcaktuar nga kabineti.
Pasi ka firmosur shkarkimin, Rama ia ka dërguar Ilir Metës në mënyrë që ky mos dalë i turpëruar dhe që vendimi mos duket si unilateral.
Ky i fundit ka tentuar të rezistojë duke nxjerrë deputetët e LSI-së duke sulmuar ministrin Saimir Tahiri, duke kërkuar në këtë mënyrë kokën e këtij të fundit.
Por Rama nuk është tërhequr pas sulmit të LSI-së dhe i ka dhënë ultimatumin Metës: Ose largim të Manjanit, ose largim të LSI-së nga qeveria.
Nën presionin e Ramës, Meta ka pranuar versionin e parë, duke iu nënshtruar kështu kryeministrit.