Kryesore “Nuk ka fshehtësi mes burrit dhe gruas”, Kryemadhi zbulon votën për Metën....

“Nuk ka fshehtësi mes burrit dhe gruas”, Kryemadhi zbulon votën për Metën. Ish-presidenti: Gabim i rëndë!

Monika Kryemadhi zbuloi se votoi për zgjedhjen e Ilir Metës si President të Partisë së Lirisë. “Nuk ka fshehtësi vote mes burrit dhe gruas”, tha ajo për gazetarët, para se të fuste fletën e votimit në kuti.

E pyetur nëse në këtë mënyrë legjitimonte votimin familjar, Kryemadhi i përgjigj: “Jemi në një institucion. Ilir Meta mendonte se unë nuk e meritoja dhe nuk më votoi, unë mendoj që e meriton”, tha Kryemadhi.

Ndërkohë, në një komunikim të shkurtër me gazetarët jashtë ambienteve të Pallatit të Kongreseve ku po zhvillon punimet Konventa e PL, Ilir Meta ka deklaruar se me përfundimin e eventit do t’i drejtohet banesës së Sali Berishës.

Meta u shpreh se në këtë mbrëmje do të shkojë të “Rruga e Shpresës” ashtu siç e ka marrë tashmë emrin nga simpatizantët e Sali Berishës.

Për sa i përket faktit që Monika tregoi votën e saj pro Ilir Metës ai u shpreh se ky nuk ishte një veprim i mirë pasi vota është e fshehtë.

“Tek Bulevardi i shpresës në mbrëmje. Ka rregulla në shtëpinë e tjetrit, do respektohen rregullat e tyre. Gabim i rëndë që Kryemadhi deklaroi votën për mua hapur, vota është e fshehtë”, tha Meta.