Cristiano Ronaldo është i domosdoshëm për Juventusin jo vetëm si futbollist, por sepse është një ikonë komerciale. Efektet e para të ardhjes së tij te Juventusi u ndjenë që në sezonin e parë, kur të ardhurat e klubit bardhezi u rritën me 55 milionë euro, por në harkun kohor të 3 vjetëve duhet të kompletohet cikli, edhe pse që tani po shihet për një CR7 të ri.
Çështja “Ronaldo” duhet të mbyllet shpejt nga klubi bardhezi. Është një zgjedhje e detyruar, për portugezin nuk mund të ketë asnjë masë, edhe pse ai e shfaqi hapur irritimin e tij për zëvendësimin gjatë ndeshjes me Milanin. Nuk është vetëm një nga futbollistët më të mëdhenj në botë dhe shënuesi më i mirë i Juventusit për sezonin e shkuar me 28 gola, por është edhe kolona kryesore për planin e rritjes globale të klubit bardhezi. Nuk është vetëm një sportist, por një ikonë. Kur Andrea Agnelli vendosi të bënte një blerje kaq të kushtueshme në verën e 2018-ës (100 milionë, plus 12 milion komisione dhe 58 milionë për pagën vjetore), e bëri duke pasur parasysh shfrytëzimin 360 gradë të portugezit, brenda dhe jashtë fushe. Ai është çelësi për të hyrë në tregje të reja dhe për të bërë kapërcimin në Champions.
Sezonin e parë të portugezit Juventusi shiti një milion fanella, ndërkohë që u rritën të gjithë komponentët e të ardhurave vjetore të klubit. Shikueshëmria u rrit, ashtu si dhe numri i tifozëve kudo në botë. Me CR7 Juventusi është pozicionuar tashmë në një vend më të mirë në treg, siç tregohet nga kontratat e reja me partnerët. Këtë sezon është firmosur një kontratë e re me “Adidas”-in që kalon nga 23 milionë në 51 milionë, ndërsa “Jeep”-i ka shtuar me 25 milionë fondin për Juventusin, nga 17 në 42 milionë). Por nuk përfundon me kaq.
Ronaldo është thelbësor për planin e zhvillimit të bardhezinjve. Në moshën 34-vjeçare duhet të tregojë gjithë forcën e tij si në nivelin sportiv, ashtu edhe në atë ekonomik. Kontrata e tij është 4-vjeçare, jemi ende në sezonin e dytë dhe përpara ka edhe shumë kohë. Është e vërtetë që me shtimin e kapitalit Juventusi po studion për një tjetër investim të madh, për të sjellë në Torino një Ronaldo të ri, i cili duhet të jetë tërheqës për gjeneratat e reja dhe për të ndihmuar zhvillimin e markës në zonat më strategjike të botës. Por është e vërtetë gjithashtu se Ronaldo “i vjetër” duhet që ç’ke me të. Edhe për goxha kohë./Gazzetta dello Sport