Sport Uzuni nuk bën polemika: Nuk u ndjeva mirë që nuk u grumbullova,...

Uzuni nuk bën polemika: Nuk u ndjeva mirë që nuk u grumbullova, por trajnerit nuk i kërkohet llogari

I lumtur që është rikthyer. Myrto Uzuni nuk e fsheh kënaqësinë që është sërish pjesë e grumbullimit të kombëtares shqiptare pas mungesës në ndeshjet ndaj Turqisë dhe Moldavisë. Në konferencën për shtyp lojtari i Lokomotivës së Zagrebit shprehu gjithashtu besimin se Shqipëria do të arrijë dy rezultate pozitive në sfidat ndaj Andorrës dhe Francës.

Ftesa? “Është tjetër klubi dhe është tjetër Kombëtarja. Ke ndjenja dhe ndjen më shumë besim. Ndihesh krenar që të përfaqësosh këto ngjyra. Mezi e prisja ftesën e radhës. Isha duke punuar fortë dhe prisja ftesën e radhës. Ndihem mirë pasi me Lokomotivën jam aktivizuar çdo ndeshje nga 90 minuta, kam asistuar kam shënuar. Besoj se jam në formë të mirë. Unë dua të luaj tek të dy sfidat, por duhet t’i tregoj trajnerit që jam i gatshëm. Nuk jam ndjerë mirë kur nuk u grumbullova, por jam shumë i lumtur që u riktheva. Isha dhe duke lozur. Trajneri e pa që unë po bëja mirë. Trajneri nuk mund t’i japë llogari lojtarit që pse nuk po e thërret”.

Konkurrenca? “Konkurrenca bën mirë për çdo ekip dhe lojtarët japin maksimumin për ekipin. Rëndësi ka që të dalim të gjithë të gëzuar me pikë maksimale”.

Andorra? “Mendoj që asnjë ndeshje nuk duhet nënvlerësuar. Jemi profesionist dhe duhet të hymë në fushë të bindur për fitore, pavarësisht se çfarë sjellë loja”.

Stadiumi? “Do të luajmë në shtëpinë tonë të re dhe tifozeria do të jetë e gatshme për të na përkrahur. Besoj se ata do na shtyjnë të japim akoma me shumë”.