Vrasjet brutale të ndodhura në Siçilinë e viteve 1970 janë dokumentuar me detaje nga fotografja Letizia Battaglia, e cila pa u trembur për pasojat e punës së saj dhe kërcënimet nga “Cosa Nostra” ka fotografuar skenat e krimit të asaj që u quajt lufta e dytë e Mafias në ishullin italian.
Sot 84 vjeç, Battaglia vraponte asokohe nëpër rrugicat e Palermos për të kapur fotografitë tragjike të një lufte që thuajse e shkatërroi plotësisht qytetin. E martuar kur ishte vetëm 16 vjeç, Battaglia u nda nga bashkëshorti në vitin 1971 dhe filloi punë si fotoreportere për të siguruar jetën e tre vajzave të saj. Duke punuar për gazetat italiane ajo e gjeti veten në vijën e parë të betejës për pushtet në botën e nëndheshme të krimit të organizuar.
Puna e saj është përmbledhur në një dokumentar me titull “Shooting the Mafia”, një lojë fjalësh mes “gjuajtjes” dhe “fotografimit” të Mafias, një film që vlerëson përpjekjet e një gruaje për të ekspozuar krimet e tmerrshme që ndodhnin në Siçili.
“Kishte raste kur ndodhnin pesë vrasje në ditë”, tha Battaglia gjatë prezantimit të dokumentarit në Festivalin e Filmit në Londër. “Kur marr fotot në duar shoh vetëm gjak. Kam dashur t’i djeg fotot, pasi merrja kërcënime me vdekje përmes telefonit. Ata nuk donin të fotografoheshin”.
Në vitet 1970, Mafia siçiliane (Cosa Nostra) ishte shndërruar në një prej organizatave kriminale më fitimprurëse, pasi merrej me kontrabandën e cigareve dhe trafikimin e heroinës.