Politika Dendias: Negociatat me Tiranën, pas situatës së tërmetit

Dendias: Negociatat me Tiranën, pas situatës së tërmetit

Nikos Dhendhias

Negociatat mes Tiranës dhe Athinës, të ngrira prej më shumë se një viti do të nisin pas normalizimit të gjendjes në Shqipëri të krijuar nga tërmeti i fuqishëm të 26 nëntorit.

Kështu la të kuptohet ministri i jashtëm grek Nikos Dendias, i cili në një intervistë për mediat greke tha se në Tiranë kishte mbërritur menjëherë pas lëkundjeve të tërmetit, për të shprehur solidaritetin e Greqisë.

“Shefi i diplomacisë greke ka deklaruar se ditët e ardhshme do të takohet me homologët e tij nga Franca dhe Holanda, në një përpjekje për t’i bindur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave për anëtarësim. Dendias e ka cilësuar si objektiv strategjik të Athinës anëtarësimin në BE të vendeve të rajonit”.

Dendias garanton se Athina do ta vazhdojë politikën mbështetëse për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit, që në tetor u shtynë për një afat të pacaktuar.

Dendias njoftoi se të hënën, më 9 dhjetor, ai ka ftuar homologët e tij nga Tirana dhe Shkupi në një mëngjes pune, për të diskutuar bashkarisht mbi këtë çështje.