Nga Entela Resuli
Ka qenë gjithmonë joshëse për njeriun të mësoi për hapësirën. Dhe kur bisedon me një profesoreshë të astrofizikës, të duket sikur zbulon një copëz mister nga qielli.
Mimoza Hafizi, këto ditë na ka informuar se një planet dhe një yll janë emërtuar me emra shqiptarë nga Bashkimi Ndërkombëtar i Astronomëve pas një votimi online.
Nisur nga renditja e votës, planeti i certifikua me emrin Arbër dhe yllit Illyrian.
“Bashkimi Ndërkombëtar i Astronomëve, që është institucioni përgjegjës për emërtimin e çdo ngjarjeje apo trupi qiellor, vendosi që t’i ‘falë’ secilit nga vendet e globit tonë një yll dhe planetin rrotull tij, për ta emërtuar me votë popullore”- shpjegon ajo për Dita.
Sipas Hafizit, shqiptarët zgjodhën të dërgojnë në qiell një copë të historisë së tyre, e cila për ne është burim i rëndësishëm krenarie dhe identiteti.
Me pedagogen e Shkencave të Natyrës përfituam nga rasti të flisnim edhe për interesin që kanë studentët për Astrofizikën, Fizikën dhe lëndët shkencore. Ajo që mësuam është dëshpëruese.
Hafizi na dha lajme të gëzueshme nga qielli, por të trishtueshme nga ajo çka ndodh në tokë, veçanërisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ku pak prej studentëve e zgjedhin Fizikën, pasi nuk shohin ndonjë perspektivë këtu në Shqipëri. Shohin që shteti i jep zero mbështetje shkencës, dhe mbështetje tepër të pakët arsimit.
“Numri i studentëve në Fizikë, por edhe në degë të tjera, po bie në mënyrë të frikshme. Niveli i tyre ka pësuar prej dekadash rënie graduale, të alternuar hera herës me qëndrueshmëri. Arsyeja fillestare ka qenë humbja e interesit për shkencat. Ndërsa tani jemi në pritje të një rënieje dramatike që po afron, për arsye të tronditjes që kanë pësuar programet dhe tekstet e shkollave të mesme. Jam pesimiste për fatin e degës sonë në vitet që vijnë dhe na duhet të vrasim mendjen fort për ta shpëtuar nga katastrofa gjithë atë përpjekje 60 vjeçare tonën dhe të paraardhësve tanë për të ngritur programe të shkollimit të lartë me nivel evropian”.
Më poshtë një bisedë me pedagogen dhe studiuesen Mimoza Hafizi, për shekullin e qiellit dhe problematikat që ka prekur mungesa e investimeve në shkencë.
Zonja Hafizi, meqë jemi në këtë periudhë festash, si ka qenë viti 2019 për ju?
Po ndaj për t’ju treguar disa nga ngjarjet e bukura të këtij viti, të lidhura me profesionin tim. Për arsye të romanit shkencor ‘Pika Trëndafil’, të cilin e publikova në fund të vitit të kaluar, kam qenë e ftuar në shumë bashkëbisedime shkencore me publikun e gjerë e kryesisht me të rinj, në universitete e në shkolla të mesme të vendit, gjithashtu në Prishtinë e në Tetovë. Madje, kam patur takime të tilla shumë interesante edhe në Francë-Paris e në Itali-në një observator pranë Milanos.
Këto konferenca i kam shijuar pa masë, ato i kanë dhënë kuptim të plotë të gjithë përpjekjes sime për afrimin e shkencës me njerëzit. Ky lloj komunikimi ia rrit dimensionet punës sonë në auditore apo laboratore.
Cilat janë angazhimet tuaja në këtë periudhë?
Përpos leksioneve në Universitet dhe angazhimit intensiv shkencor, jam edhe pjesë e një ekipi europian për projektimin e një observatori hapësinor, që pritet të miratohet e të hidhet në hapësirë nga fundi i dekadës së ardhshme. Projekti quhet THESEUS, ai synon zbulimin e universit më të hershëm. Ne, grupi shqiptar, po përpiqemi t’ia shtojmë vlerat me anë të ekspertizës që kemi në zbulimin e trupave të errët kozmikë përmes një metode, e cila bazohet në teorinë e Einstein-it mbi gravitacionin. Projekti është përzgjedhur për fazën finale mes një numri të madh projektesh të tjera, të propozuara nga ekipe shumë të mira europiane. Agjencia Hapësinore Europiane, ESA, e cila është financuesja kryesore, do të vendosë për ecurinë e tij përfundimtare. Dua të shtoj që projekte të tilla hapësinore janë shumë të shtrenjta, disa qindra milionë euroshe, dhe përgjegjshmëria është e lartë për të nxjerrë prej këtij financimi suksesin dhe informacionin më të vyer.
Nuk lë asnjëherë pa vëmendje komunikimin shkencor me publikun. Kam organizuar disa konferenca, në Akademinë e Shkencave dhe në Fakultet. Njëra prej tyre i kushtohej Infinitit në Fizikë, u organizua në formë bashkëbisedimi mes meje dhe një astrofizikani të njohur italian. Salla e Akademisë së Shkencave u mbush me njerëz të njohur e të panjohur, të cilët gjithashtu patën rastin të hyjnë në diskutim e të shprehin pyetjet e mendimet e tyre.
Zonja Hafizi, ju prej vitesh jeni pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, mund të na tregoni si janë studentët sot, a kanë ndryshuar ata me kalimin e viteve?
Numri i studentëve në Fizikë, por edhe në degë të tjera, po bie në mënyrë të frikshme. Niveli i tyre ka pësuar prej dekadash rënie graduale, të alternuar hera herës me stanjacione. Arsyeja fillestare ka qenë humbja e interesit për shkencat. Ndërsa tani jemi në pritje të një rënieje dramatike që po afron, për arsye të tronditjes që kanë pësuar programet dhe tekstet e shkollave të mesme. Jam pesimiste për fatin e degës sonë në vitet që vijnë dhe na duhet të vrasim mendjen fort për ta shpëtuar nga katastrofa gjithë atë përpjekje 60 vjeçare tonën dhe të paraardhësve tanë për të ngritur programe të shkollimit të lartë me nivel europian.
Unë e kam të vështirë të parashikoj se çfarë do të ndodhë me universitetet tona, por ajo që po ndodh me shkollat e mesme, niveli i cunguar i teksteve, i programeve, i mësimdhënies në përgjithësi, është padrejtësia më e madhe që po u bëjmë fëmijëve tanë.
Çfarë do të thotë kjo, nuk kanë interes për Astrofizikën?
Sa janë të rinj, në gjimnaze, kanë shumë interes. Vjet kam organizuar, bashkë me studenten time të diplomës, një pyetësor në shkollat e mesme, për të kuptuar interesin e tyre në astrofizikë. Një pjesë e e madhe u shprehën pozitivisht, dhe kjo është logjike, për arsye të informacionit që marrin përmes internetit e medias.
Më pas, pak prej tyre zgjedhin Fizikën, pasi nuk shohin ndonjë perspektivë këtu në Shqipëri. Shohin që shteti i jep zero mbështetje shkencës, dhe mbështetje tepër të pakët arsimit.
Ditët e fundit është folur për një planet dhe një yll të zbuluar që kanë marrë dy emra shqiptarë, na tregoni diçka më tepër rreth zbulimit të tyre?
Bashkimi Ndërkombëtar i Astronomëve, që është institucioni përgjegjës për emërtimin e çdo ngjarjeje apo trupi qiellor, vendosi që t’i ‘falë’ secilit nga vendet e globit tonë një yll dhe planetin rrotull tij, për ta emërtuar me votë popullore. Kjo bëri që unë, me një grup shumë të mirë studentësh të mi dhe në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, të organizonim një proces disa mujor, i cili përfundoi me emërtimin Arbër për planetin dhe Illyrian për yllin.
Si u përzgjodhën këta emra?
Sapo nxorëm shpalljen, përmes facebook dhe email na u grumbulluan mbi 200 propozime, të cilët i listuam dhe i lamë publike për një muaj e gjysmë. Ndërkohë, Akademia e Shkencave ngriti një grup pune shkencëtarësh të fushës së gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe gjeografisë, të cilët përzgjodhën nga ajo listë 5 çifte emrash, me mesazh të fortë nga historia dhe gjeografia jonë.
Kemi organizuar vrojtime me teleskop dhe konferenca, studentët e mi kanë vajtur në shumë shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme për të bashkëbiseduar rreth ngjarjes e për të shpjeguar shkencërisht se çfarë peshe ka për njerëzimin zbulimi i planeteve jashtë sistemit diellor.
5 çiftet u hodhën në votim elektronik, i cili ndenji i hapur për dy javë. U munduam ta shpërndajmë linkun e votimit përmes faqeve të ndryshme të medias sociale dhe elektronike.
Në votim morën pjesë gati 1400 vetë, që mund të konsiderohet pjesëmarrje mjaft e mirë, ndër më të mirat mes shteteve të Europës, në përpjesëtim me popullsinë përkatëse.
Nisur nga renditja e votës, Bashkimi Ndërkombëtar i Astronomëve çertifikoi emrat Illyrian dhe Arbër.
Çfarë do të thotë për ne kjo gjë?
Unë besoj se rezultati ishte i pritshëm. Shqiptarët zgjodhën të dërgojnë në qiell një copë të historisë së tyre, e cila për ne është burim i rëndësishëm krenarie dhe identiteti.
Cilat janë koordinatat gjeografike të yllit?
Ylli ndodhet në Konstelacionin e Luanit të Vogël, pranë Konstelacionit të Luanit, që njerëzit i kanë të njohur nga shenjat e Zoodiakut.
Çfarë domethënë afër konstelacionit të shenjës së Luanit, për të gjithë ata që i përkasin kësaj shenje besoj duhet të jenë kurioz?
Konstelacionet i njeh dhe i ka çertifikuar prej shumë dekadash Bashkimi Ndërkombëtar i Astronomëve. Emrat e tyre vijnë nga mitologjitë e ndryshme. Por në shkencë ato shërbejnë vetëm si adresa orientuese, ndërsa objektet brenda një konstelacioni, në shumicën e herës nuk kanë fare lidhje fizike me njëri-tjetrin.
A shihet ylli me sy të lirë?
Jo, por mund të shihet me një teleskop të vogël. Ai është yll mjaft i ndritshëm, por ndodhet shumë larg.
Cilat janë karakteristikat e yllit tonë?
Illyriani ka ngjyrë afërsisht si të Diellit tonë, por është shumë më i ndritshëm, ngaqë ka mase 2-3 herë më të madhe se Dielli dhe rreze 5 herë më të madhe se ai. Po të ishte Dielli ynë aq i madh dhe i fuqishëm, në Tokë nuk do të mund të shfaqej jeta, do të kishte vetëm shkreti e zjarrtë, për arsye të temperaturave të larta.
Po karakteristikat e planetit?
Planeti Arber është gjigand në krahasim me Tokën. I ngjan pak a shumë Jupiterit. Por, aty është shumë nxehtë, sepse Illyriani i dërgon rrezatim të fuqishëm.
A mund të ketë jetë aty?
Në Arbër jo, sepse është planet gjigand dhe shumë i nxehtë. Por prapa tij, në distancë nja tre herë më larg, temperatura është e pranueshme. E përse të mos ndodhet aty një planet i vogël sa Toka? Ne shqiptarët do të kishim të drejtë ta emërtonim edhe atë. Teleskopet tanë ende nuk janë në gjendje ta zbulojnë këtë planet hipotetik, por në dekadat që vijnë, një detyrë e tillë mund të jetë krejt e mundur. Do të dëshiroja shumë që aty të ketë jetë! Do të ishte bekimi shqiptar për jetën diku tjetër, qindra vite-dritë larg. E kjo më ngjan shumë e bukur!
Cili është më i rëndësishëm ylli apo planeti dhe pse?
Nga pikëpamja e aftësisë sonë zbuluese, planeti është shumë i rëndësishëm. Yjet janë objekte të ndritshme dhe shihen edhe me sy. Me instrumentet e qiellit njihen me miliarda të tillë. Kurse planetet vrojtohen me shumë vështirësi, sepse janë të errëta dhe të vogla në krahasim me yllin, rrotull të cilit sillen. Prandaj, ato që kemi zbuluar deri tani konsiderohen shumë të çmuara e të rëndësishme.
A mund të kujtojmë diçka rreth zbulimit të planetëve dhe sa i vështirë është zbulimi i tyre?
Deri tani ka rreth 4100 planete të zbuluara në Galaksinë tonë. I pari është zbuluar në vitin 1995. Për këtë zbulim, autorët morën çmimin Nobel në tetor të këtij viti. Kjo ishte dhe një nga ngjarjet e bukura të vitit që po lëmë pas. Sidomos për mua! Sepse planetet jashtëdiellore janë subjekti që admiroj. I kam kushtuar edhe romanin tim shkencor. Për mua, 2019 ka qenë viti i planeteve jashtë sistemit diellor.
Zonja Hafizi, pse ky shekull konsiderohet ndryshe si shekulli i qiellit?
Njerëzimi e njeh tashmë shumë mirë planetin e vet, Tokën. Prandaj sytë i ka hedhur drejt qiellit, i ndërgjegjshëm se Toka e tij e bukur është burim i fundëm dhe delikat të mirash dhe energjie. Aftësitë shkencore dhe teknologjike të shekullit të ri lejojnë që qielli të eksplorohet në largësi të parrokshme edhe nga imagjinata. Modelet teorike të ndërtuara prej një shekulli e kanë kthyer dijen për qiellin në një shkencë të vërtetë. Sot shohim projekte shkencore me vlerë miliarda euro që i dedikohen zbulimeve në astrofizikë, kryesisht nga shtete të fuqishme apo grupe shtetesh.
Çfarë pritet të “ndodhë” apo të zbulohet nga qielli në vitin 2020?
Dekada që vjen do të krijojë mundësi të reja në drejtim të qëmtimit të jetës në ato planete, rreth 30 të tilla deri tani, që premtojnë kushte më të mira për të strehuar jetën, dmth janë planete të ngjashme me Tokën.
Ndërkohë, shumë projekte synojnë informacione të panjohura për origjinën e krijimit, Big Bangun. Valët gravitacionale kanë marrë hov dhe në dekadat që vijnë presim të reja drithëruese për shkencën dhe njeriun. Po kështu, hapa gjigande po hidhen drejt pushtimit të hapësirës. Pas Hënës, radhën shpejt do ta ketë zbarkimi në Mars.