Bota A do ia dalin kritikët e avionëve të “zgjojnë” trenat e natës?

A do ia dalin kritikët e avionëve të “zgjojnë” trenat e natës?

Tre vite më parë, shumë nga trenat “ikonë” të Perëndimit po shkonin drejt zhdukjes, kryesisht për shkak të kompanive të fluturimit “low cost” apo kostove më të larta të udhëtimit me tren.

Por tani, me një gjeneratë të ndërgjegjshme ndaj ndryshimeve klimatike, të cilët po e marrin situatën në duart e tyre, duket se gjërat po ndryshojnë.

Të dielën, më 19 janar, shërbimi i ri i trenave që operojnë natën, NightJet, inauguroi linjën Vjenë-Bruksel.

Kjo është një ndër përpjekjet e fundit, e ndërmarrë nga kompania hekurudhore shtetërore austriake OBB, për të zgjeruar rrjetin e trenave të natës.

Bernhard Rieder, zëdhënësi i OBB, duke folur për Euronews, tha se kompania ka vendosur të vazhdojë operimin e trenave të natës në një kohë kur shërbimet përgjatë Europës Perëndimore e kishin ndërprerë këtë.

“Është një rrezik që tashmë po korr sukses”, thotë z. Rieder. Ai tha se numri i pasagjerëve është shtuar më 10 për qind vitin shkuar dhe se është kryesisht falë udhëtarëve që janë të ndërgjegjshëm ndaj ndryshimeve klimatike.

“Në ditët e sotme mund të shkosh me avion nga njëri cep i Europës në tjetrin, por tashmë ka nga ata që shohin nëse ka alternativa të tjera për të arritur në destinacionin e tyre”.

“Kur ka alternativa, njerëzit po i përdorin ato. Për ne, ajo çka është më e rëndësishme është t’ua japim këtë mundësi qytetarëve”.

Në Suedi, vendlindja e aktivistes Greta Thunberg dhe lëvizjes “kritike ndaj avionëve”, vitin e shkuar shifrat e pasagjerëve nëpër aeroporte kanë qenë në rënie për herë të parë pas një dekade. Një dukuri e ngjashme po ndodh dhe në Gjermani.

Edhe pse nuk ka prova se rënia e shifrave të pasagjerëve është vetëm për shkak se njerëzit ndihen fajtorë që po fluturojnë, e për pasojë po ndikojnë mbi mjedisin, ekspertët thonë se ka luajtur një rol.

Qeveria suedeze po sheh gjithashtu mënyra për të inkurajuar edhe më tej shërbimet e trenave të natës dhe është duke parë linjën Malmo-Këln si një nga destinacionet e para.