Kryesore A mund ta shpëtojë Evropën strategjia “agresive” e testimit e San Marinos?

A mund ta shpëtojë Evropën strategjia “agresive” e testimit e San Marinos?

Alessio Dellanna & Lillo Montalto Monella, Euronews

San Marino është aktualisht vendi më i prekur në botë sa i përket vdekjeve nga COVID-19 për frymë të popullsisë.

Kjo mikro-republikë, një nga vendet më të vjetra në botë, e vendosur në qendër të gadishullit italian, mund të pësojë një rënie ekonomike shkatërruese për shkak të pandemisë.

Sekretari i shtetit për punën, Teodoro Lonfernini, tha për Euronews se vendit mund t’i duhet “80 deri 100 milion euro” për të rregulluar ekonominë e tij pasi të mbarojë gjendja e emergjencës, dhe PBB-ja e saj “mund të bjerë me mbi 70%”.

Sidoqoftë, një strategji e re për kontrollimin e pacientëve po tregon shenja që batica mund të kthehet, të paktën në frontin shëndetësor

Një qasje “proaktive” për të luftuar COVID-19

Autoritetet e San Marinos i thanë Euronews se ata nuk ishin në gjendje të pasqyronin shtrirjen siç duhet të koronavirusit në popullsi deri vonë.

“Para 7 Prillit, ne kryenim testet me tampon të cilat më tej i dërgonim në Itali për rezultate. Por teksa morëm kitet tona, ne nisëm, të bëjmë shumë më shumë teste së bashku me ato serologjike. Nga kjo rezultoi se numri i pacientëve pozitivëve që gjetëm shkoi nga 279 në 382 në vetëm një javë”.

Pasi San Marino mori pajisjet e nevojshme, nisi kërkimi i njerëzve të infektuar në mënyrë më proaktive.

Eksperti i sëmundjes infektive të San Marino, Massimo Arlotti tha se vendi “nisi kërkimin në vendet ku ne menduam se mund të ketë infeksione; me fjalë të tjera midis atyre që sapo kishin mbaruar karantinën, si dhe në familjet e tyre, ose mes njerëzve me simptoma të lehta”.

Një numër i madh njerëzish u ekzaminuan me strategjinë “me dy teste”

Autoritetet shëndetësore në San Marino janë në gjendje të tregojnë nëse dikush është pozitiv në më pak se një orë.

Rreth 5.6% në 30.000 qytetarë të San Marinos janë testuar deri më tani për COVID-19. Italia, fqinji i saj më i afërt dhe një nga vendet që bëri më shumë testime në Evropë, ka testuar 1.6% të popullsisë së saj.

Arlotti tha se San Marino tani është duke përdorur teste me “përgjigje të shpejtë” të cilat u miratuan nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA) por jo edhe nga BE (San Marino nuk është në BE).

Testi molekular, i njohur ndryshe edhe si tamponi i pështymës, kushton 80 euro dhe gjithashtu është i certifikuar nga BE; testi serologjik, i cili bëhet duke marrë gjak kushton 20 euro.

Siç u shpjegua në Euronews nga Giovanni Maga, një virolog në Institutin gjenetikë molekulare CNR, gjenomi i virusit nxirret nga tamponi i pështymës ndërsa antitrupat kërkohen në testin serologjik, i cili ka një efikasitet 90-95%.

“Nëse duam të kontrollojmë nëse një pacient ka virusin, testi molekular me tampon është i mjaftueshëm. Në Itali, mund të bëni vetëm atë, sepse testet serologjike ende nuk janë certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë e Italisë”.

“Por nëse doni të vlerësoni si duhet gjendjen shëndetësore të popullatës, testi serologjik duhet të bëhet së bashku me testin molekular”. Kjo është ajo që po bën San Marino.

Ndihma financiare dhe grupet mjekësore lokale që mbështesin popullsinë

Përveç kësaj, vendi ka vendosur pesë grupe mjekësore që trajtojnë pacientët në shtëpi.

Në këtë mënyrë, presioni ndaj spitaleve është lehtësuar në mënyrë drastike; që nga mëngjesi i së premtes, 24 prill, vetëm tre pacientë ishin ende nën kujdes intensiv.

Sa i përket masave të kontrollit, shumica e vendkalimeve kufitare me Italinë janë të mbyllura, vetëm pesë janë të arritshme nën mbikëqyrje të ngushtë.

Në San Marino, kufizimet ishin të ngjashme me Italinë, “por mbase krahasuar me Italinë ne ndiheshim më të kontrolluar”, tha mjeshtri 50-vjeçar Fabrizio Bernardini.

“Megjithatë nga këndvështrim ekonomik nuk kam pasur të ardhura këto dy muaj. Jam në telashe. Po, do të ketë kredi me interes të ulët, por kurrë nuk do ta shoh më pagën që kam humbur”.

Unioni i Artizanëve të Vendit (UNAS) tha se ka humbur rreth 85% të biznesit të tij për shkak të loronavirusit.

Si lehtësim për ata që janë në vështirësi ekonomike, San Marino ka siguruar një pagë prej 580 € për familje për të gjithë kohëzgjatjen e urgjencës shëndetësore.