Bota Abuzime seksuale edhe në Opera? Tetë gra akuzojnë tenorin Placido Domingo

Abuzime seksuale edhe në Opera? Tetë gra akuzojnë tenorin Placido Domingo

Tetë këngëtare dhe kërcimtare kanë akuzuar tenorin me famë botërore Placido Domingo se i ka ngacmuar seksualisht gjatë takimeve që kanë pasur me të përgjatë 30 viteve, duke filluar nga fundi i viteve 1980.

Femrat pretendojnë se ngacmimet kanë ndodhur në vende të ndryshme, përfshi edhe në zyrat e kompanive operistike ku tenori spanjoll mbante pozicione të larta drejtuese.

Një prej tyre e akuzon 78-vjeçarin se i ka futur duart poshtë fundit të saj, ndërsa tri të tjera kanë thënë se i ka detyruar ta puthnin në buzë në dhomën e ndërrimit, në një dhomë hoteli dhe gjatë një takimi për drekë.

Patricia Wulf, ish-këngëtare në Operën e Uashingtonit

Shumica e akuzave lidhen me periudhën kur Domingo ishte drejtues i Operës së Los Anxhelosit dhe Uashingtonit. Përveç tetë femrave që e akuzojnë drejtpërdrejtë, gjashtë të tjera kanë deklaruar për Associated Press se sjellja e tij i ka bërë të mos ndihen rehat, ndërsa thuajse 20 te tjera kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitare të sjelljes së tij të pahijshme, që nuk është ndëshkuar asnjëherë.