Aktualitet Albchrome shkarkon dy anëtarë të tjerë të sindikatës

Albchrome shkarkon dy anëtarë të tjerë të sindikatës

Kompania Albchrome shkarkoi së fundmi nga puna dy minatorë të tjerë- njëkohësisht anëtarë të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e cila e ka akuzuar se po tenton të shtypë sindikatën.

Nga Sami Curri / BIRN

Kompania Albchrome ka shkarkuar nga puna në minierë Behar Gjimin dhe Ali Gjetën, të dy anëtarë të këshillit sindikal të Sindikatës Minatorët e Bashkuar të Bulqizës, duke e çuar në katër numrin e të shkarkuarve. Gjimi u shkarkua më 20 dhjetor, ndërsa Gjeta u shkarkua më 24 dhjetor, pas një procesi të ngjashëm të thirrjes më parë në zyrat e kompanisë dhe ngritjes së pretendimeve për mungesa të pajustifikuara në punë.

SMBB përsëriti të enjten akuzat se shkarkimet ishin vijim i presioneve për t’u mbyllur gojën minatorëve dhe për të penguar sindikatën. “Me Ali Gjetën ka arritur në 4 numri i minatorëve të larguar nga puna. Mbi 20 të tjerë janë kërcënuar drejtpërdrejt me të njëjtën masë. Qindra më shumë ndihen të rrezikuar nga hakmarrja e paligjshme dhe e padenjë e Albchrome-it dhe pronarit të saj”, thuhet në një njoftim të sindikatës.

Kompania Albchrome e pyetur nga BIRN për akuzat pas vendimit për shkarkimin e Gjimit iu referua qëndrimeve të mëparshme, duke mohuar se lëvizjet kishin të bënin me sindikalizimin. “Përgjigja është e njëjtë me përgjigjet e tjera që ju kemi dhënë së fundmi, dhe është e arsyetuar dhe në dokumentin zyrtar që i është lëshuar edhe personit të interesuar”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Ndërkohë minatorët kanë kundërshtuar pretendimet e Albchrome për mungesa të pajustifikuara. Behar Gjimi i tha BIRN se përkundër pretendimeve të Albchrome prej llogaritjeve që vetë kompania kishte bërë, ai rezultonte të kishte 8 ditë pune më shumë gjatë vitit dhe jo 7 më pak saç pretendoi kompania. “Këta kanë marrë krejt vitin dhe më kanë nxjerrë 7 mungesa në total. Sa për ditët e grevës, aty kanë qenë 300-400 punëtorë që kanë lënë punën dhe jam pezulluar vetëm unë. Kjo është dukur qartë që në fillim se unë, bashkë me Eltonin dhe Beqirin kemi qenë në qendër të sulmeve për sindikatën e re. Normalisht edhe disa shokë tjerë që kanë qenë në themelimin apo janë pjesë e këshillit”, tha Gjimi.

Në një reagim të sajin për mediat Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi shkarkimet si vazhdë e sulmeve që kompania Albchrome po bën ndaj sindikatës. “Këto masa nuk kanë ardhur as për shkak të mungesave, as për shkak të ndonjë shkeljeje të mundshme në vendin e punës, por për fjalimin e mbajtur në shpalljen e sindikatës sonë, më 17 nëntor 2019, dhe angazhimin sindikal”, thuhet në reagimin e sindikatës për shkarkimin e Gjimit.

Sindikata bëri me dije se për rastet e shkarkimit të minatorëve është duke ndjekur rrugën ligjore duke i denoncuar në institucionet përkatëse brenda dhe jashtë vendit. “Do të përdorim të gjitha mënyrat që na lejon organizimi sindikal, deri te greva”, thuhet në njoftimin e SMBB.

Ndërkohë që shkarkimet po shtohen, Inspektoriati i Punës ende nuk ka bërë publike rezultatet e hetimeve të nisura më herët për shkarkimet nga puna të kreut të Sindikatës Minatorët e Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi dhe të përgjegjësit të financave të sindikatës, Beqir Duriçi.

BIRN mësoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas kërkesës së SMBB për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet kompanisë dhe sindikatës, ka kërkuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit ngritjen e Rrjetit Shtetëror të Ndërmjetësimit për zgjidhjen e konfliktit. Por deri më sot nuk ka pasur një veprim konkret për të ulur sindikatën dhe kompaninë për zgjidhjen e konfliktit.

Ndërkohë pak ditë më parë një minator u plagos rëndë në galeritë e menaxhuara nga Albchrome në minierën e Bulqizës. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, identifikoi minatorin e plagosur si Tush Asllani dhe akuzoi kompaninë Albchrome, se pas grevës së minatorëve pak ditë më parë u kishte ndërruar atyre vendet e punës, duke shkelur rregullat e sigurisë. Kompania i mohoi akuzat.

Përplasjet mes kompanisë dhe sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u nxitën pas shkarkimit të kreut të saj nga puna, vetëm pesë ditë pas shpalljes së sindikatës së re që minatorët kishin krijuar.