Politika Basha, të vetëve: Të jemi pranë të prekurve nga tërmeti. Në janar...

Basha, të vetëve: Të jemi pranë të prekurve nga tërmeti. Në janar reforma zgjedhore

Kryetari i PD-së Lulzim Basha mblodhi sot kolegjin e kryetarëve, ku u ndal te situata pas tërmetit në vend si dhe te kriza politike. Një muaj pas rënies së tërmetit shkatërrimtar, i cili shkaktoi 51 viktima e shkaktoi dëme të mëdha ekonomike, kreu i opozitës kërkoi që në degët e prekura nga tërmeti të ngrihen menjëherë grupe pune.

“Duhet të jemi çdo ditë afër qytetarëve, duhet të jemi gjithnjë pranë tyre. Në degët e prekura nga tërmeti duhen ngritur menjëherë grupe pune që të identifikojnë çdo familje të prekur nga tërmeti. të identifikohen ato familje që nuk i është ofruar asnjë ndihmë, qe gjenden pa strehë në prag të dimrit”, ishte kërkesa e Bashës.

Po ashtu ai kërkoi që të identifikohen ato familje që nuk kanë vlerësim për banesat e tyre, apo kanë vlerësime kontradiktore, dhe PD të bëhet zëri i tyre rast pas rasti.

“Është kriminale që banorët pas një muaji nga tërmeti s’kanë marrë asnjë ndihmë apo janë diskriminuar se nuk kanë votuar me 30 qershor apo për shkak të bindjeve partiake”, shtoi ai.

Basha shtoi se opozita duhet të bëhet gati për organizimin për zgjedhje.

“Zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për ta nxjerrë vendin nga kriza ku është futur dhe po thellohet çdo ditë e me shumë. Zgjedhjet janë po ashtu kusht dhe për avancimin e projektit evropian të Shqipërisë. Ne jemi në përfundim të programit tonë ekonomik për ta nxjerrë vendin nga kriza. Pas festave ne do të prezantojmë para qytetareëve propozimet tona për reformën zgjedhore, dhe kërkojmë që brenda muajit janar të miratohet reforma dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme sa më shpejt, pasi kjo qeveri po e thellon krizën ekonomike, politike dhe shoqërore.”