Politika Ankimimi i Alibeajt, “Rithemelimi”: Vendimi që regjistroi “11 dhjetorin” është ende në...

Ankimimi i Alibeajt, “Rithemelimi”: Vendimi që regjistroi “11 dhjetorin” është ende në fuqi

Ivi Kaso, nga Komisioni i Rithemelimit, ka reaguar pas vendimit të gjykatës që pranoi, këtë të premte, ankimin e Enkelejd Alibeajt për statusin e Partisë Demokratike.

“Gjykata nuk ka vendosur prishjen e vendimit të parë. Kjo do të thotë se vendimi i gjyqtarit Zhukri dhe vendimi që regjistron Kuvendin e 11 dhjetorit është një vendim i ligjshëm dhe akoma në fuqi. Është pranuar vetëm ankimi i paraqitur nga një palë, e cila pretendon të përfaqësojë Partinë Demokratike të bëhet pjesë e dosjes dhe të shkojë në apel.

Edhe ky është një vendim në kundërshtim të qartë me ligjin, me faktet, me provat që gjenden në dosjen gjyqësore, mbi të gjitha me dhjetra qëndrime që ka mbajtur Gjykata e Tiranës në të tilla raste analoge”, tha Kaso.