Sport Juventusi i ri, bardhezinjtë në bisedime me Di Marian

Juventusi i ri, bardhezinjtë në bisedime me Di Marian

Kontrata e Angel Di Maria me Paris Saint-Germain përfundon më 30 qershor dhe sulmuesi e ka parë veten në pjesën më të madhe të këtij sezoni në stol. E ndërsa nga asnjë prej palëve, qoftë nga lojtari, por edhe nga vetë klubi nuk shihet dëshira për të rinovuar, 34-vjeçari është duke parë me kujdes mundësitë që ka për të ardhmen.

Sipas raportimeve të medieve në Itali, ka pasur bisedime në ditët e fundit mes klubit të Juventus dhe argjentinasit, në mënyrë që të kalojë te “Zonja e Vjetër” në verë.

Sulmuesi mund të pranojë një kontratë një ose dy vjeçare, pasi dëshira e tij është që ta mbyll karrierën në vendlindje, pra në Argjentinë.

Megjithatë nuk dihet ende nëse destinacioni i radhës për Di Marian do jetë Juventus apo një rikthim në La Liga, për t’u bashkuar me klubin e Barcelonës, me këta të fundit që kanë shfaqur interes të lartë për argjentinasin.