Aktualitet Armiqësia me Lul Berishën, si u bë Endrit Dokle drejtues i bandës...

Armiqësia me Lul Berishën, si u bë Endrit Dokle drejtues i bandës së Durrësit

Endrit Dokle, i cili fitoi lirinë nga vendimi i Gjykatës së Krujës të martën, ishte dënuar për një sërë krimesh të kryera në kuadër të organizatës kriminale.

Duke iu referuar hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, Dokle ishte pjesë e bandës së Durrësit që në krijimin e saj nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. E ashtuquajtura banda e Durrësit filloi përçarjet në vitin 2002, pasi kishte funksionuar e bashkuar nga viti 1998 dhe ndahet në dy pjesë.

Një në drejtimin e Lulzim Berishës e tjetra nga Klodian Saliu. Ky i fundit vritet në 26 shkurt të 2002-shit dhe drejtimin e merr Endrit Dokle. Ky i fundit ka tentuar të vrasë Lulzim Berishën dhe në një rast të dokumentuar nga Prokuroria bëhet fjalë për atë në gushtin e vitit 2005.

“Gjatë hetimeve të mëtejshme në kuadër të këtij procedimi rezultoi se i pandehuri Lulzim Berisha dhe shtetasi Klodian Saliu, që nga viti 1998 e deri në vitin 2002, kanë krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale me shtrirje dhe aktivitet në rrethin e Durrësit dhe më gjerë, ku merrnin pjesë të pandehurit Plaurent Dervishaj, Adriatik (Dritan) Coli, Ilir Xhunga (i vrarë) Arben Paja (i vrarë), Endrit Dokle, Indrit Taullai dhe të tjerë.

Në vitin 2002, organizata kriminale ndahet në dy pjesë, ku si i pandehuri Lulzim Berisha, ashtu dhe shtetasi i vrarë Klodjan Saliu drejtonin të pavarur nga njëri-tjetri dy grupime kriminale rivale. Në datë 26.02.2005, shtetasi Klodjan Saliu vritet dhe drejtimin e organizatës tashmë e merr i pandehuri Endrit Dokle”, shkruhet në konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë për Krime të Rënda në 2011-ën.

ENDRIT DOKLE NË KRYE

Endrit Dokle, pasi ka marrë drejtimin e bandës, ka tentuar të vrasë Lulzim Berishën dhe në një rast të dokumentuar nga Prokuroria bëhet fjalë për atë në gushtin e vitit 2005. “Pas marrjes së drejtimit të saj, i pandehuri Endrit Dokle rriti numrin e anëtarëve të organizatës me të pandehurit Altin Olloni, Selman Heti, Alban Neli, Spartak Kalthi, Elvin Hoxhosmani, Sardjan Sulejmani e Kujtim Buna, duke shpalosur një ambicie të theksuar kriminale. Anëtarëve të rinj të organizatës, i pandehuri Endrit Dokle në cilësinë e drejtuesit i komandonte në aktivitetin e tyre, por dhe i mbante me të ushqyer dhe të fjetur nga paratë që nxirrte nga trafikimi i lëndëve narkotike. Pra, në këtë mënyrë rekrutët e ri në organizatë kishin si bazë vendet e gjetura nga i pandehuri Endrit Dokle, kryenin detyrat e lëna prej tij si dhe ushqeheshin me të ardhurat e dhëna po prej atij, duke qenë të vetëdijshëm për qëllimet e organizatës dhe rreziqet që mbart. Organizata kriminale e drejtuar nga i pandehuri Endrit Dokle, pas vrasjes së shtetasit Klodjan Saliu kishte si qëllim parësor vrasjen e shtetasit, të pandehurit Lulzim Berisha, pasi atë e akuzonte si personin përgjegjës lidhur me vrasjen e shtetasit Klodjan Saliu më datë 26.02.2005”, ka rezultuar nga hetimet e Prokurorisë vite më parë.

ATENTATI

Duke iu referuar dosjes rezulton se në datën 28.08.2005, Endrit Dokle dhe Adriatik Coli, për realizimin e qëllimit të tyre, për vrasjen e Lulzim Berishës, pas konflikteve që kishin lindur midis anëtarëve, dikur të së njëjtës bandë, kanë kontaktuar dhe më pas kanë lidhur marrëveshje me dy shtetas kosovarë, me Osman Korpuzin e Ahmet Ajetin.

Rezulton se këta persona fillimisht janë takuar në Tiranë, siç edhe thotë Ajeti, por sipas Prokurorisë, aty i janë treguar të dhëna për Lulzim Berishën dhe lëvizjet e tij. Më tej, shtohet në dosje, ata e kanë marrë përsipër që ta qëllojnë Lulzim Berishën me armë zjarri të llojit pistoletë. Më pas, Korpuzi dhe Ajeti, të shoqëruar nga Sardian Sulejmani, janë dërguar në qytetin e Durrësit dhe janë sistemuar në hotelin e Asto Hanxharit.

Në datën 30.08.2005, rreth mesditës, të gjykuarit Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, të armatosur, janë nisur në drejtim të lokalit, ku qëndronte zakonisht Lul Berisha, me qëllim vrasjen e tij. Por në afërsi të lokalit të shtetasit Lulzim Berisha, në rrethana jo shumë të qarta, Ahmet Ajeti ka mbetur i plagosur.

AKUZAT NDAJ ENDRIT DOKLES “KRIJIM TE ORGANIZATES KRIMINALE”

Kryerjen në kuadër të organizatës kriminale të veprave penale si më poshtë:

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Dritan Disha, ndodhur më datë 09.07.2000.

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Erion Lame, ndodhur më datë 14.01.2002.

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 05.04.2005.

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 05.05.2005.

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 30.08.2005.

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur në muajin gusht të vitit 2005 “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Avni Gashi, ndodhur më datë 12.05.2005.

“Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, kryer në kuadër të organizatës kriminale “Moskallëzim i krimit”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale.

“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale./Panorama