Aktualitet Arrestimi i Belerit, Rrumbullaku: Ka kryer akt kriminal, policia e detyruar të...

Arrestimi i Belerit, Rrumbullaku: Ka kryer akt kriminal, policia e detyruar të ndërhyjë

Duke mos dashur që të japë shumë detaje, Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është shprehur se arrestimi i kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Belerit është i ligjshëm, pasi është kapur duke konsumuar një vepër penale, më konkretisht duke blerë vota.

Në një dalje për mediat, Rrumbullaku tha se policia ka marrë autorizim nga Prokuroria dhe më pas ka ndërhyrë për t’i vënë prangat, për shkak se ka pasur prova që po kryente një akt kriminal.

“Veprimet e policisë janë të autorizuara nga prokurori, në kushte  e realizimit të një akti kriminal dhe kur konstatohet konsumimi i veprave penale, policia e shtetit është e detyruar të ndërhyjë”, tha Rrumbullaku.

Fredi Beleriu u arrestua në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje me akuzën për blerje votash e ndërsa në kuadër të operacionit të quajtur “Matrix” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 40 mijë lekë që mendohet se i ka marrë në këmbim të 8 votave.