Aktualitet Dosja e plotë: “Henri Çili ndërhyri për lirimin e vrasësit të efektivit...

Dosja e plotë: “Henri Çili ndërhyri për lirimin e vrasësit të efektivit të RENEA-s në Lazarat”

Një aksion i policisë, që mori shtysë nga përgjimet për drogë mbi grupin e zjarrit të Lazaratit që vranë efektivin e RENEA-s në 2015-ën, ka çuar në pranga botuesin dhe pronarin e UET-së, Henri Çili dhe 34 persona të tjerë.

Përgjimet

Sipas përgjimeve nga Prokuroria e Përmetit në 6 muaj hetime, në bisedat e përgjuara për të arrestuar disa persona për drogë, ka rezultuar se Adil Aliko, i arrestuar sot, komunikonte në telefon me Henri Çilin dhe pedagogun dhe juristin e UET-së, Ilir Korbi (i arrestuar), në përpjekje për t’i ndryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj djalit të tij Arbion Aliko për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, me vendim të formës së prerë nga Apeli, çështje e cila është në Gjykatën e Lartë.

Iu dhuruan sipërfaqe toke

Ndërhyrja tek gjyqtarët dyshohet se është bërë në këmbim të një sipërfaqeje toke në Gjirokastër dhe një shumë parash, që Adil Aliko ia ka dhuruar për ndihmën ndaj të birit.

Kontratat e dhurimit të tokave janë kryer tek noterja Shpresa Gjocaj në Tiranë, gjithashtu e arrestuar, me qëllim që Çili dhe pedagogu i tij Ilir Korbi, të nisnin punën për të zgjidhur çështjen në Gjykatën e Lartë. Henri Çili është vënë nën akuzë për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari”, dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Arrestimi

Arrestimi i Çilit dhe personave të tjerë u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Policia, ndërkohë që mendohet të jenë lëshuar 30 urdhër arreste dhe vetëm 12 të jenë ekzekutuar deri më tani, ndërkohë që janë shoqëruar rreth 60 persona.

Hetimi për hashashin nxori zbuluar Henri Çilin

Një hetim i nisur në shtator të 2019 për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, ku në fokus ishin disa persona nga Përmeti dhe Lazarati, ka çuar në zbulimin e një tentative për të zbutur dënimin me burg përjetë për Arbion Alikon, nga gjykata e Apelit për Krime të Rënda, për vrasjen e ish-efektivit të RENEA Ibrahim Basha në Lazarat. Për këtë vrasje vëllai i tij është dënuar me 17 vite e 6 muaj burgim.

Nga përgjimet me synimin për të arrestuar disa persona për drogë, është kuptuar se po kryhen përpjekje për t’i ndryshuar dënimin Arbion Aliko. Bisedat e përgjuara nga prokuroria e Përmetit, në 6 muaj hetime, tregojnë se babai i Arbion Alikos, Adil Aliko, komunikonte me Henri Çilin dhe pedagogun e UET-së Ilir Korbi, për ta ndihmuar për punën e djalit. Në këmbim të ndihmesës që Korbi dhe Çili do jepnin në Gjykatën e Lartë, aty ku ndodhet tashmë dosja në pritje për t’u gjykuar, Adil Aliko, i ka vënë në dispozicion një sipërfaqe toke në Gjirokastër dhe një shumë të hollash.