Ekonomi ARSYET/ Meta kthen ligjin për përjashtimin e jahteve nga TVSH

ARSYET/ Meta kthen ligjin për përjashtimin e jahteve nga TVSH

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kthimin në Kuvend të ligjit nr. 64/2020 “Për  një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën  e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Për këtë veprim, Presidenti ka renditur disa arsye.

“- Rrezikon qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë nr. 92/2014, për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe krijon një precedent për një efekt të mëtejshëm zinxhir në shtimin e kërkesave të paargumentuara për aplikimin e këtij rregulli përjashtues;
Zgjerimi i rrethit të përjashtimeve të kësaj natyre ndikon potencialisht në uljen e të ardhurave tatimore nga tatimi mbi vlerën e shtuar;
– Krijon një diferencim të trajtimit të mallrave të tjera të konsideruara luksi, apo kënaqësie, që jo vetëm i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, por dhe akcizës;
– Krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klientiste dhe preferenciale, sepse përjashton jahtet dhe mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi;
– Është një veprim, i cili zvogëlon më tej bazën tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar;
– Nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë”